134 ankesa shqyrtohen nga PZAP, për subjetet politike që thyen heshtjen zgjedhore

PZAP, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në seancat e mbajtura më 14, 15 dhe 16 shkurt 2021, ka shqyrtuar dhe vendosur 134 ankesa lidhur me thyerjen e heshtjes zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve.

Ankesat janë paraqitur nga individë, subjekte politike, kandidatë për deputetë, organizata, anëtarë të KKZ-ve, anëtarë të këshillave të vendvotimeve, qytetarë, vëzhgues, etj., thuhet në njoftim.

Prej 138 ankesave të shqyrtuara, Paneli… ka vendosur që t’i pranojë si të bazuara 117 ankesa, 7 ankesa i ka refuzuar si të pabazuara, 11 ankesa i ka hedhur si të palejuara, 2 ankesa i ka hedhur si të pasafatshme, si edhe 1 ankesë është tërhequr.

Përkitazi me ankesat e sipërcekura, PZAP-ja ndaj subjekteve politike ka shqiptuar gjoba në shumën totale prej: 121.250.00 €, për shkak të mosrespektimit të Kodit të mirësjelljes.

Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë: Heshtja zgjedhore, thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit për të votuar subjektin e caktuar politik, thirrja për të votuar disa kandidatë nëpërmjet portaleve të gazetave, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si Facebooku, thirrje për të votuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, bërja e fushatës me veturë 100m afër qendrës së votimit, shpërndarja e SMS-ve për votim te qytetarët, vendosja e banerëve me foto të kandidatëve në afërsi të shkollave, vendosja e posterëve të kandidatëve në oborrin e Qendrës së votimit, mbajtja e fushatës gjatë ditës së votimit, etj.

Subjekteve politike u janë shqiptuar gjoba si në vijim:

-Ndaj subjektit politik PDK janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 42,500.00 €;
-Ndaj subjektit politik LVV janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 37,500.00 €
-Ndaj subjektit politik LDK janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 22,000.00 €;
-Ndaj subjektit politik AAK janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 16,250.00 €;
-Ndaj subjektit politik NISMA janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 2,000.00 €;
-Ndaj subjektit politik Lista Srpska janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 1,000.00 €.

Në fund ju informojmë se janë edhe 10 ankesa të cilat ende nuk janë vendosur për arsye procedurale dhe për to do të merret vendimi të enjten, 18 shkurt 2021