Hoti në kazermën “Adem Jashari”: Pavarësia është ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në manifestimin qendror për shënimin e Ditës së Pavarësisë në kazermën “Adem Jashari”,  ka thënë se sot jetojmë ëndrrën e gjeneratave që sakrifikuan për liri e pavarësi.

“Përvjetorët janë momente të qarta për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizmin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi. Sot me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që ndoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve”, tha Hoti.

Hoti nder te tjera  shtoi se në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që kemi ndaj fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë vend të realizimit të ëndrrave për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia është ëndërr e realizuar e gjeneratave që sakrifikuan çdo gjë. Sot në përvjetorin e 13 të shtetësisë tonë, festojmë ëndrrën e realizuar të heronjve për ti dhënë mundësi këtyre djemve dhe vajzave për t’u rreshtuar me krenari në radhët e ushtrisë që forcon themelet e shtetësisë tonë”, tha Hoti.

Në shënimin e manifestimit qendror në Kazermën “Adem Jashari”, kanë marrë pjesë ambasadorë të vendeve të QUINT-it, ministri në detyrë Anton Quni, ish komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi dhe ish-ministri Agim Çeku.