Kosnett ka takuar edhe Osmanin

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett me të cilin diskutuan për rezultatin e zgjedhjeve.

Osmani njoftoi se në këtë takim janë pajtuar me Kosnett që formimi i institucioneve të reja të jetë prioritet.

Përmes një njoftimi në Twitter, Osmani bëri të ditur se gjatë këtij takimi ka theksuar se populli i Kosovës votuar për ndryshim.

“Me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë diskutuam për rezultatin e zgjedhjeve. Theksova se populli i Kosovës votoi qartë për ndryshim. U pajtuam se formimi i institucioneve të reja duhet të jetë prioritet për të siguruar stabilitetit dhe të angazhohemi për rimëkëmbjen pas COVID-19”, shkruan Osmani.

Ndryshe, Kosnett mëngjesin e së martës ka takuar edhe kreune Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Kosnett në një postim në Twitter nxit partitë të punojnë shpejtë për të krijuar Qeverinë dhe Kuvendin që t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe t’i adresojnë sfidat.

“I kënaqur të takojë Albin Kurtin dhe të urojë Lëvizjen Vetëvendosjen për fitoren e saj dhe diskutuam për rrugën e Kosovës përpara.

Ne i nxisim partitë të punojnë shpejtë për të krijuar Qeverinë dhe Kuvendin që t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve dhe në adresimin e sfidave”, shkruan Kosnett.