Avokatët e ish presidentit të vendit, Hashim Thaçi, David Hooper dhe Sophi Menegon sot gjatë konferencës së tretë në Dhomat e Specializuara kanë kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që të ju jepen dokumente dhe të dhëna më të qarta në lidhje me dëshminë e dëshmitarëve dhe identitetin e tyre.
Hooper tha se kanë pasur vështirësi që të nxjerrin materialet të cilat janë dërguar në Prokurorinë Speciale.
“Ka një grup çështjesh të lidhura. Në lidhje me nxjerrjen e materialeve ka pasur disa vështirësi konkrete që janë drejtuar nga ZPS ku u vunë në dukje, por mbetet ai që quhet problem i përgjithshëm, mënyra se si sistemi i ZPS-së nxjerr materialet. Mund të them se sistemet e nxjerrjes së materialeve me të cilat kemi punuar është më pak i dobishmi. Mënyra se si bëhet nxjerrja e materialeve dhe sidomos kur bëhet fjalë për materialet e shumta, kjo duhet të jetë si udhërrëfyes për ta ndihmuar mbrojtjen dhe për ta trajtuar e vendosur për përparësitë e saj për hetimet që duhet ndërmarr. Dëshmitarët që janë marr me pseudonime, nuk na është dhënë një përmbledhje ose pesë rreshta në lidhje se për çka do të thonë këta dëshmitarë. Mungojnë hollësitë në lidhje me tabelat. Mungojnë hollësisht, dhe ZPS vazhdon të veproj kështu. Mungojnë meta datat, etj”, ka thënë Hooper.
Edhe avokatja Menegon tha se si mbrojtje kanë probleme që të identifikojnë dëshmitarët e rastit.
Ajo tha se i vetmi material që u jepet është përshkrimi dhe pseudonimi i dëshmitarit, trasmeton Telegrafi
“Lidhur me identifikimin e dëshmitarëve kemi problem. Na janë dhënë shumë materiale nga dëshmitë e tyre. Janë më shumë se 200 prova të tilla si provë inkriminuese. Andaj duam që të na jepen më shumë të dhëna nga Prokuroria që të fillojmë hetimet tona. Identifikimin e materialeve të lidhura me secilin dëshmitarë e kemi të vështirë. I vetmi material që na jepet është vetëm përshkrimi, dhe pseudonimi i dëshmitarit. Kur lexojmë deklaratën dhe intervistën shohim që janë dërguar disa dokumente e këto dokumente nuk na jepen. Kërkojmë që prokuroria sistematikisht që në çdo transkript të dëshmitarëve të na jepen dokumentet të dhëna nga dëshmitari. Kërkojmë dokument më të qartë në lidhje me dëshmitarët|, ka thënë Menegon.