Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella i ka dërguar letër uruese Kosovës me rastin e ditës së festës së Pavarësisë.
Mattarella ka thënë se Italia qëndron krah Kosovës dhe se bashkëpunimi dypalësh ka shënuar rritje të ndjeshme viteve të fundit.
“Me rastin e festës kombëtare ju përcjell Juve dhe popullit mik kosovar urimet më të mira nga Republika italiane.
Qëndrueshmëria e marrëdhënieve mes vendeve tona dëshmohet nga intensiteti i lartë i dialogut politik dhe bashkëpunimit dypalësh, i cili ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit të fundit edhe në kontekstin e sfidave të përbashkëta të paraqitura nga pandemia.
Italia qëndron përkrah Kosovës në rrugën e reformave dhe konsolidimit institucional. Integrimin e Prishtinës në institucionet europiane e konsiderojmë si një hap me rëndësi primare në kompletimin e ndërtimit të shtëpisë së përbashkët europiane dhe me të njëjtën bindje vazhdojmë të mbështesim dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Duke rikonfirmuar angazhimin e vendosur italian në drejtim të stabilitetit rajonal përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it, edhe njëherë ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për mirëqenie dhe prosperitet për Republikën e Kosovës” thuhet ne letrën uruese nga presidenti i Italisë.