Ismaili: PDK e ka të qartë mesazhin, do të qëndrojmë në opozitë

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka thënë se PDK e ka të qartë mesazhin e zgjedhjeve, dhe për ta fuqizuar shtetin e demokracinë do të qëndrojë në opozitë.

Përmes një postimi në Facebook, Ismaili ka shkruar se do të jenë në shërbim të plotë të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Qytetarët e Republikës së Kosovës, me votë të lirë, dëshmuan edhe një herë se vendi ynë ka ndërtuar institucione që organizojnë zgjedhje të shkëlqyeshme, shumë mbi nivelin e rajonit. PDK e ka të qartë mesazhin, dhe për ta fuqizuar shtetin e demokracinë – do të bëjë opozitë, si udhëheqëse që përfaqëson qytetarët. Ne do të jemi në shërbimin e tyre të plotë. Shpresoj që institucionet të formohen sa më shpejtë.
Falemnderit të gjithë qytetarëve për pjekurinë dhe korrektësinë e treguar në procesin zgjedhor. Në veçanti, mirënjohje të pafundme për të gjithë mbështetësit, votuesit dhe aktivistët e Partisë Demokratike të Kosovës, që me devotshmërinë e tyre të pashembullt mundësuan një fushatë të jashtëzakonshme. Pas këtij kapitulli, gjëja më e sigurt nga e gjithë kjo është se ne do të jemi vetëm më të fortë
.