Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, sipas të cilës janë 1 milion e 794 mijë e 862 votues.
Të drejtën e votës e kanë edhe të burgosurit që aktualisht ndodhen në institucionet korrektuese në Kosovë.
“Aktualisht në institucionet korrektuese janë 1475 persona të burgosur, të drejtë vote kanë të gjithë ata persona të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, e të cilët posedojnë dokumente valide. Nga ky numër i të burgosurve përjashtohen të miturit nën moshën 18 vjeçare. Rreth 10 të burgosur janë të mitur nën moshën 18 vjeçare, ndërsa shtetas të huaj janë rreth 50 të burgosur”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së për IndeksOnline.
SHKK thotë se aktualisht nuk ka një numër të saktë të atyre se sa persona kanë të drejte vote, sepse deri me 14 shkurt, numri i të burgosurve mund të pësoj ndryshime.
Nëse lista e votuesve e këtyre zgjedhjeve krahasohet me të zgjedhjeve paraprake, 2019, atëherë në këto zgjedhje kemi 143 mijë e 6 votues më pak. Numri i votuesve të rinj në këto zgjedhje, pra që do të votojnë për herë të parë pasi kanë mbushur 18 vjeç pas zgjedhjeve të vitit 2019, është 49 mijë e 198 votues.