Maliqi: Albin Kurti ka ndryshuar, tash po tregohet më i butë

 

 

Njohësi i çështjeve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, thotë se bazuar në paraqitjen e mbrëmshme të Albin Kurtit, ai do të jetë më i butë sa u përket qëndrimeve të shumta.

Sipas tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka ndryshuar marrë parasysh edhe bindjen e tij se do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Bazuar në atë që kam parë, për shembull Albin Kurti ka qenë një dozë e vogël e moderimit, do të thotë ai, si i bindur që ka me fitu zgjedhjet, tha që nuk do të ketë hakmarrje, sepse partitë politike nuk i sheh si kundërshtare dhe armike, por si konkurrente”, ka thënë Maliqi.

Pastaj, sipas Maliqit, Kurti i kishte edhe disa premtime të tjera që do t’i mbajë raportet më faktorët kyçë ndërkombëtarë dhe do të thotë jep sinjale se do të jetë më koperativë.

 

 

“Në përgjithësi nuk ka shpalosur pika programore që ta vlerësojmë më me saktësi a do të jetë më i përgjegjshëm se në atë 50-ditëshin e kaluar”, ka thënë Maliqi.

Maliqi konsideron se Kurti po mundohet të japë sinjale si te partitë e tjera politike, ashtu edhe te ndërkombëtarët se këtë herë do të jetë më bashkëpunues.

“Besoj se nuk do të ketë asnjë diskurs të ashpër, por paksa më të zbutur, meqë ai është i bindur në fitoren, me dikë prej tyre do të duhej të bëjë edhe koalicion për hirë të zgjedhjes së presidentit. Kështu që po mundohet me tregu sinjale edhe te partitë politike vendore, por edhe te ndërkombëtarët se do të jetë më koperativë”, ka vlerësuar ai.

“Kurti e përmendi edhe reciprocitetin me Serbinë, ai po jep sinjale se do të reflektohet për shumë gjëra që i ka kundërshtuar më herët rreth dialogut, rreth Marrëveshjes së Washingtonit, për Mini-shengenin, në përgjithësi ai ka qëndrime më të buta. Këto janë qëndrime që unë i dëgjova dhe më duken si një llojë zbutjeje dhe si një ofertë e hapur”, vlerësoi Maliqi.

 

 

Ai ka përmendur edhe faktin se kushdo që fiton zgjedhjet do të përballet me presionin e Amerikës dhe të Evropës.

“Nëse vjen në pushtet do të ballafaqohet me presionin e Amerikës dhe të Evropës. Pastaj se duhet të gjendet një zgjidhje më afatgjatë për stabilitetin e vendit dhe rajonit. Herën e kaluar ka qenë më i frustruar dhe i nervozuar me partnerin, prishjen e koalicionit dhe shkarkimin e nënkryetarit”.