Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidat për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk planifikon që pas zgjedhjeve të ketë ndonjë koalicion me tjetër kë pos bashkëpunimit me iniciativën e Vjosa Osmanit.
Kurti në një takim virtual me zyrtarë të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë ka thënë se dëshirojnë të fitojnë 50 përqind të ulëseve në Kuvendin e Kosovës.
“Ne do të kemi një referendum në këto zgjedhje. Sondazhet deri tani Lëvizjen Vetëvendosje e kanë vendosur të parën duke fituar 50 përqind të ulëseve në Kuvendin e Kosovës”.
“LVV do ta demokratizojë vendin, jemi duke kandiduar me iniciativën e Vjosa Osmanit, ushtrueses së detyrës së presidentes, në një listë të përbashkët zgjedhore. Ajo është shumë e njohur në Kosovë, ne jemi politikanët më të njohur në vend. Ne kemi realizuar një koalicion me iniciativën e Osmanit para zgjedhjeve, dhe pas fitimit të tyre ne nuk planifikojmë të kemi ndonjë koalicion me dikë tjetër”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shpalosur edhe programin e tij për këtë fushatë zgjedhore duke folur për shëndetësinë, arsimin, ekonominë dhe drejtësinë.