Përmes një postimi në llogarinë Facebook, është bërë e ditur që Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar Albin Kurtin për fushatën e djeshme në qytetin Skenderaj, i cili ka shkuar me polici dhe njësinë speciale.
Isa Mustafa ka thënë se 21 vjet pas lufte kjo gjë nuk guxon të ndodhë në Kosovë. Sipas tij, Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, e jo populizëm i shfrenuar.
“Zgjedhet janë shprehje e lirë e qytetarëve për Parlamentin e tyre. Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësite speciale… zgjedhje nën tytat e armëve, njëzatenjëvjet pas çlirimit!?
Zgjedhjet me dhunë nuk janë zgjidhje. Askush s’është i pari nëse duhet të barikadohet për t’u takuar me qytetarët dhe askush nuk e meriton të dalë i pari, në qoftë se mendon se një komune apo një territor është pashallëk i tyre.
Dhuna prodhon dhunën. Më së paku demokraci. Me protagonistët e dhunës dhe kërcënimeve, në hygjymin e tyre për pushtet, po rrëshqasim keq në hasmëritë e kohës së viteve të pasluftës. Kjo nuk na nevojitet. Çdo fitore e tillë eventuale, e kujdo qoftë, është humbje. Kosovës i nevojiten zgjedhje demokratike, jo populizëm i shfrenuar” shkruan Mustafa në Facebook.
/RTV-Okarina/
Zgjedhet janë shprehje e lirë e qytetarëve për parlamentin e tyre. Nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me…
Posted by Isa Mustafa on Tuesday, February 2, 2021