Mbi 174 mijë persona nga diaspora kanë aplikuar për zgjedhjet e 14 shkurtit

Kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se mbi 174 mijë aplikues kanë aplikuar përmes emaili-t për zgjedhjet e 14 shkurtit, proces ku i cili pritet që të përfundojë sot.

Ahmetaj sqaroi se këto të dhëna janë preliminare dhe se numri mund të ndryshojë, duke qenë se ka raste kur përmes një emaili janë dërguar shumë aplikacione

“Operacioni i hapjes së email-eve është përfunduar dhe tash jemi në fazën e procesimit të dhënave që konsiderojmë të përfundojë sot. Mbi 174 mijë aplikues që kanë aplikuar përmes e-mail deri më tani”, u  shpreh Ahmetaj.

Ai tha se do të bëjnë kontrolle të vazhdueshme gjatë këtij procesi.

“Këto të dhëna që i kemi janë preliminare, jo përfundimtare. Ne do të bëjmë kontrolle të vazhdueshme. Këto shifra nëpër secilin operacion nuk përfaqësojnë shifrën e njëjtë për shkak se janë preliminare. Do t’i eliminojmë aplikimet e dyfishta apo trefishta pastaj do t’i kemi numrat real. Deri dje kemi punuar 24 orë në këtë shërbim. 10 mijë aplikacione nuk janë të refuzuara, posa të kompletohen, nëse arrijnë me i sjellë dokumentet ë kërkuara nga sekretariati, do ta bëjmë këtë përmirësim. Deri më tani nuk kemi asnjë apliues që është refuzuar. Nesër në raportimin e radhës, do të kemi shofra më të sakta”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka bëri thirrje që qytetarët të mos dërgojnë më shumë se një herë emailin, pasi siç tha ajo, secili email do të hapet.

“Ndoshta do të duhet të ju dërgohet mesazh, që të mos i dërgojnë nga 3 emaile e nga 5, sepse secili email do të hapet. Qysh e kemi informatën nga sekretariati, shumë prej emaileve janë aplikacione të dyfishtë apo të trefishtë. Na duhet sa më parë ta dimë, që brenda ditës ta kemi informatën se sa është numri real i votuesve, sa janë numër i dyfishtë. Pastaj a e kanë zotësinë juridike a jo është çësthje tjetër”, tha Daka.