Nga 180 vende të vlerësuara për luftimin e korrupsionit , Kosova e 104-ta

KDI thotë se Kosova ka vazhduar stagnimin në luftën kundër korrupsionit.

Kosova sipas këtij instituti renditet e 104 nga 180 vende të përtfshira në vlerësim

Njoftimi i plotë nga KDI 

Rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2020 konfirmojnë vazhdimin e stagnimit në luftën kundër korrupsionit. Për të dytin vit radhazi, Kosova shënoi 36 pikë duke u renditur në pozitën e 104 së bashku me Shqipërinë, Algjerinë, Bregun e Fildishtë, El Salvador, Vietnamin dhe Tajlandën.

Transparency International (TI), përdor një metodologji të sofistikuar shkencore dhe raportin e bazon kryesisht në raportet kredibile nga organizata ndërkombëtare si Freedom House, World Bank, Bertelsmann Foundation, World Justice Project ROLI, Global Insight dhe Varieties of Democracy Project. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.

Në aspektin global, Nga 180 vende të përfshira në këtë vlerësim, Danimarka dhe Zelanda e Re ndajnë pozitën e parë me 88 pikë, të ndjekura nga Finlanda, Singapori, Suedia dhe Zvicra me 85 pikë. Vendin e fundit në botë e mban Somalia me 10 pikë, e pasuar nga Sudani Verior, Siria, Jemeni, Venezuela, Sudani, Korea Veriore etj.

Në nivel rajonal, krahasimi i rezultateve me ato të vitit të kaluar tregon se i gjithë rajoni po kalon nëpër një periudhë stagnimi dhe vetëm Shqipëria ka shënuar një rritje me 1 pikë krahasuar me vitin e kaluar.
Është shumë me rëndësi që të tregohet edhe mesatarja globale, që është 43 pikë e që ne jemi ende larg kësaj mesatare, ndërsa mesatarja e Evropë ku edhe pretendojmë të jemi pjesë është 66 pikë.

Këto rezultatet tregojnë që Kosova ka nevojë urgjente të përqendrohet në tre fusha në mënyrë që të bëjë përparim:
Pavarësia e sistemit të drejtësisë. -Ndërhyrja e vazhdueshme politike në punën e gjyqësorit kanë minuar punën e pavarur dhe profesionale të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Lufta kundër korrupsionit – Përkundër ndryshimeve të fundit në legjislacion, krijimi i grupeve të punës dhe mekanizmat kundër nivelit të lartë të korrupsionit, lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të shoqërisë dhe institucioneve shtetërore të Kosovës. Hulumtimet vendore dhe ndërkombëtare flasin për nivele të larta të korrupsionit, nepotizmit, punësimit të bazuar në parti, emërimeve politike në bordet e ndërmarrjeve publike etj.

Në fushën e prokurimit publik, kërkohet të rritet transparenca në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit, por me theks të veçantë kërkohet menaxhim dhe mbikëqyrje për kontratat publike. Në këtë fushë vazhdimisht kemi kërkuar që të bëhet ngritja e nivelit të përgjegjësisë së zyrtarëve publik për mënyrën e shpenzimit të parasë publike.

Po ashtu, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme si rezultat i Covid 19 me të cilën po përballet Kosova dhe mbarë bota, gjatë vitit 2020 prokurimi publik në masë të madhe është zhvilluar në procedura emergjent e cila ka shkaktuar uljen e transparencën institucionale duke rritur mundësitë për korrupsion. Në vitin 2020 gjatë blerjes së pajisjeve për masa mbrojtëse anti – COVID 19 ka pasur çmime të fryra në kontratat e lidhura nga institucionet publike, pra gjendja e jashtëzakonshme ka shkaktuar rritjen e mundësisë për korrupsion në sektorin e shëndetësisë në veçanti.