KOMF ka reaguar për mënyrën e raportimit të mediave për zhdukjen e 15 vjeçares nga Prizreni

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka parë me shqetësim raportimet e mediave lidhur me rastin e zhdukjes së vajzës nën moshën 18 vjeç N.N.

KOMF dënon ashpër raportimet e tilla të cilat janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, parimet etike dhe çka është më e rëndësishmja, në kundërshtim me interesin më të mirë të fëmijës. Raportime të tilla cenojnë rëndë privatësinë dhe integritetin moral dhe psikologjik të fëmijëve.

“Mediat duhet të kenë parasysh që edhe në rrethanat kur prindërit ose kujdestarët ligjor të fëmijëve shpalosin apo ndajnë informata dhe detaje rreth rastit, mediat në asnjë rrethanë nuk duhet të publikojnë informata të cilat dëmtojnë integritetin e fëmijës, e veçanërisht për fëmijët viktima. Madje, KOMF konsideron që roli i mediave përveç që duhet të jetë informues duhet të jetë edhe edukues për prindërit në raste të tilla”, thuhet në reagim.