FSK vazhdon operacionin e kërkimit të qytetarit që dyshohet se është hedhur nga “Ura e Fshejt”

Ekipet e kërkimshpëtimit në ujëra  të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë ditës së djeshme kanë filluar operacionin  e kërkimit  për gjetjen e trupit të  50-vjeçarit i cili është parë të  hidhej nga Ura e Fshejtë, komuna e Gjakovës.

Kërkimet nga njësitet e zhytësve  të FSK-së së bashku me ekipet e policisë kanë ndërprerë  operacionin dje në orët e mbrëmjes për shkak të kushteve të vështira për kërkim, për  të vazhduar  sot  që  në orët e hershme të  mëngjesit. Për shkak të ujit të turbullt dhe të rrëmbyeshëm ky operacion paraqet  rrezikshmëri të lartë për personelin e angazhuar.

Pjesëtarët e FSK-së janë të gatshëm dhe të përgatitur profesionalisht për misione të tilla. Ata janë të përkushtuar dhe në mbështetje të plotë të autoriteteve civile deri në gjetjen e personit.