Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka prezantuar të hënën Përfaqësuesen e Zvicrës si një prej pjesëmarrëseve në “Euro 2020” që mbahet këtë verë. Zvicra është në grupin A së bashku me Turqinë, Italinë e Uellsin.
UEFA natyrisht në tekstin për Zvicrën ka përmendur futbollistët shqiptarë të saj, Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin e Valon Behramin.
Zvicra për herë të pestë do të luajë në Evropian, ndërsa për kapiten do ta ketë Xhakën. Ndërkohë shumë pritet prej sulmuesit të Liverpoolit, Shaqiri.
Sipas UEFA-s, synim i Zvicrës mbetet kualifikimi në çerekfinale. Në Evropianin ekaluar helvetikët u ndalën në 1/8 e finales.
Si lojtar kyç të Zvicrës, UEFA ka përzgjedhur portierin Yann Sommer dhe Granit Xhakën. Xhaka i ka 89 ndeshje për Zvicrën dhe 12 gola.
Ndërkohë Valon Behrami dhe ish-kapiteni Stephan Lichtsteiner janë lojtarët e Zvicrës me më së shumti paraqitje në kampionate evropiane. Ata i kanë nga shtatë paraqitje. Prej shqiptarëve gola në Evropian kanë vetëm Shaqiri e Admir Mehmedi, nga një.
Behrami më nuk luan për Zvicrën, ndërsa pos Shaqirit e Xhakës me shumë mundësi për në Evropian do të ftohen edhe Mehmedi, Albian Ajeti dhe potencialisht ndonjë shqiptar tjetër.
Zvicra ndeshjen e parë të Evropianit e luan më 12 qershor ndaj Uellsit, në Baku. Më 16 qershor luan ndaj Italisë në Romë, ndërsa më 20 qershor ndaj Turqisë në Baku.