Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar sërish ndaj partive politike që po mbajnë tubime në kundërshtim me masat anti-COVID-19, nga të cilat janë prekur më së shumti bizneset e tyre.
Gastronomët kanë vlerësuar se masat për parandalimin e pandemisë, që kanë filluar nga 13 marsi i vitit të kaluar, janë jo vetëm kufizime të të drejtave themelore të njeriut, përkatësisht të lëvizjes së lirë, por shkaktojnë edhe kufizime sa i përket funksionimit të mirëfilltë të shumicës së sektorëve ekonomikë e sidomos gastronomisë.
Sipas tyre, për fushata zgjedhore partitë politike vendimet mund t’i përshtatin e t’i dizajnojnë sipas interesave të tyre, ndërsa thanë se, “është turp për partitë” që po japin shembuj të mosrespektimit të masave.
“Për këto vendime, pothuajse i gjithë sektori privat, me dëshirë dhe pa dëshirë, të shtyer nga gjendja e rëndë e shëndetit publik, është pajtuar dhe zotuar që për të njëjtin qëllim, të heqë dorë jo vetëm nga përfitimet e tij, por edhe është dashur të investojë në respektimin e denjë të këtyre vendimeve. Ky kompromis ka shkuar edhe më larg se kaq, duke lënë të papunë shumë punëtorë, e që shumë nga ta janë kontribuues të vetëm në familjet e tyre”, thuhet në reagim.
Gjithashtu ata kanë kërkuar që të mos dënohen bizneset dhe gjobat që janë dhënë deri tani të falen.
https://www.facebook.com/Gastronometeprishtines/posts/1154081051692684
/RTV-OKARINA