Një punë e suksesshme e hetuesëve të Stacionit policor të Kaçanikut, ka rezultuar me zbardhjen e një sërë rastesh të vjedhjeve të ndryshme në qytetin dhe rrethinën e Kaçanikut gjatë muajit dhjetor 2020 dhe muajit janar 2021.
Lidhur me këto raste, hetuesit policor kanë arritur të identifikonin të dyshuarin, J.B. (m/kosovar /28 vj.) i cili gjatë procesit të hetimeve e në prezencë të avokatit ka pranuar gjithsej 11 vepra të kryera nga ai në shtëpi dhe lokale të ndryshme.
Pas arrestimit të të dyshuarit, gjatë kontrollit të kryer në disa lokacione ku i dyshuari kishte qëndruar kohët e fundit, policia ka gjetur dhe konfiskuar shumë pajisje, vegla pune dhe gjësende të tjera si veshje të ndryshme, këpucë dhe gjëra ushqimore, të cilat i dyshuari kishte fshehur.
Gjithashtu janë gjetur dhe konfiskuar edhe mjete si shufra metalike dhe kaçavida, mjete të cilat janë përdorur për thyerje shtëpish dhe lokalesh të ndryshme ku janë kryer vjedhjet.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari lirohet dhe lënda shkon në procedurë të rregullt.
/RTV-Okarina/