Mund të kukasim për mësimin e humbur nga nxënësit tanë, dhe me të drejtë, por duhet edhe t’i gëzohemi disa mësimeve të vyeshme që kemi marrë përgjatë kësaj greve.
Shumë njerëz janë të çuditur me karakterin ngulmues të Rrahman Jasharajt. Janë të çuditur se si praktikisht i vetëm ai po i bën ballë linçimeve të eksponentëve të pushtetit, një pushteti të madh e shumë agresiv. Janë të çuditur me guximin, e mbi të gjitha, janë të çuditur me vet ekzistencën e tij, të mësuar që dramën e kotë të cilën e quajnë arbitrarisht “politikë” ta shikojnë pa ndërprerje si spektatorë!
Rrahman Jasharaj është pikërisht dëshmia për ekzistencën e secilit prej nesh, matanë rolit të spektatorit. Një dëshmi fort e rëndësishme – edhe pse e dhimbshme për më dembelët prej nesh – se edhe ne kemi interesa ekonomike, sociale e bile edhe politike. Interesa që nuk kanë të bëjnë me atë se sa vota merr Albin Kurti, e se sa vota Lumiri, por me mënyrën se si jetojmë e se si do të jetojmë. Interesa që janë të kundërvëna ndaj njëra tjetrës, ndonjëherë edhe ashpër, varësisht se cilës kategori sociale i takojmë.
Prandaj, Rrahman Jasharaj është antidoti i Albin Kurtit dhe krejt politikanëve tjerë që janë bërë politikanë pa ‘farkëtuar’ lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë interes partikular. Ai është në fakt antidoti i secilit politikan që punën e parë e ka pasë “politikan” në këtë vend sa troha. Prandaj, atyre gjithmonë iu është dashur të na bëjnë tubë që të mos vërehen dallimes mes nesh. Dhe prandaj, Rrahman Jasharaj është i rëndësishëm si prishës i asaj tube.
Politikanët tanë janë mësuar të përfaqësojnë thjesht dhe vetëm shikues televizionesh e lexues portalesh që përtojnë të jenë pak më shumë se spektatorë që duartrokasin a zemërohen. Për atë arsye, ata kanë nevojë për profile të rreme, për ‘vajza vietnameze’ të zemëruara, sepse njerëzit realë këto kohët e fundit, sidomos kohët e fundit, nuk po e luajnë mirë rolin e spektatorit.
Në vitin 2005 kur e hapi partinë e tij politike, kryeministri ynë kishte qenë një 30 vjeçar i papunë. Për shkak edhe të mungesës së përvojës, ai me shumë gjasë ka qenë tepër i frikësuar nga tregu i punës. Më e pakta, ka qenë i vetëdijshëm për kushtet e punës dhe paperspektivën e përgjithshme të punëtorëve – përfshirë edhe punëtorët e arsimit – në Kosovë. Prej asaj kohe Albin Kurti i ka pasë gjashtëmbëdhjetë vjet kohë (2005-2021) që si politikan të ideojë ndonjë reformë serioze e radikale në arsim, gjë të cilën ashiqare nuk e ka bërë. Kjo ka qenë detyra e tij dhe për të cilën është paguar mirë prej vitit 2010 nga shteti. E kjo s’është dhe s’ka qenë asnjëherë detyra e Rrahman Jasharajt apo mësuesve dhe arsimtarëve tjerë të Kosovës, siç e nënkuptoi me sulmin që jua bëri.
Sidoqoftë, Rrahman Jasharaj është shndërruar në diçka që me shumë gjasë as që e ka ëndërruar: simbol të demokracisë. Kjo s’ka ndodhur veç tash, sa është Albin Kurti në pushtet por edhe më herët, gjatë përplasjeve përmes grevash e protestash me pushtetet e kaluara. Me anë të atij ngulmimi të pashoq që shpërfillte brutalisht çfarëdo debati ‘politik’ që po e bënim, ai jepte idenë e një demokracie të njëmendtë që s’mbetet e mbyllur brenda kutive të televizorëve apo telefonëve tanë, por që na prekte e përfshinte të gjitha ndryshimet e ndrydhura mes nesh. Një demokracie tamam përfaqësimore, me autenticitetin si kusht themeltar.
Pse atëherë, Rrahman Jasharaj është kaq i fortë? Përgjigja në këtë pyetje është fare e thjeshtë. Ai as nuk merr pjesë e as nuk kupton sasinë e pabesueshme të pallavrave politike që i prodhojmë përditë e përnatë. Ai është përfaqësues, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Dhe shembulli i tij, duhet të frymëzojë jo vetëm sindikalistët e punëtorëve të pastrimit, zjarrfikësve e infermierëve por edhe mënyrën e të bërit politikë.