Gjatë ditës së djeshme, Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarizoi aderimin e deputetes nga koalicioni Vetëvendosje-Guxo, Doarsa Kica-Xhelili.
“Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë. Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi – për drejtësinë në veçanti – janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”, tha ndër tjerash në prezantimin e saj, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
E lëvizjen e deputetes Kica-Xhelili drejt LDK-së, analisti politik, Gani Qarri e sheh si një sinjal i një krize të re politike që mund të shpërthejë në Kosovë.
“Për habi të qytetarëve dhe mbarë opinionit të gjerë të vendit, edhe në gjendjen e tensionuar, që aktualisht po kalon Kosova me sfidën për targat, bisedimet dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, nëntoka e krimit të organizuar e lidhur me ish pushtetarët e inkriminuar, së fundi ka filluar që brenda koalicionit qeverisës LVV- GUXO, të blejë deputet të luhatshëm e të pa vendosur të LVV- dhe GUXO, për të prodhuar krizë politike e institucionale, pamundësuar funksionimin normal të qeverisë dhe dobësuar pozitën negociuese të Kosovës në dialog me Serbinë, që duket se është qëllimi kryesor, jo vetëm i Serbisë por edhe i opozitës së inkriminuar”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Më tej, Qarri largimin e deputetes Kica-Xhelili nga koalicioni Vetëvendosje-Guxo, e lidh edhe me paralajmërimin e shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili kishte thënë se disa deputetë nga pozita do t’i bashkohen LDK-së.
“Akt që krijon dyshime të hapura se, që nga greva në arsim, transferi i deputetëve me para, mashtrim e manipulime, e deri te paralajmërimi i paradokohshëm i kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi për transferet e deputetëve dhe “rrëzimin” e qeverisë, janë veprime të mirëkoordionuara me Listën srpska dhe shërbimet e fshehta të Aleksandër Vuçiqit, të cilat që të gjitha, në kor dhe njëkohësisht paralajmëronin rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, në vjeshtë!? Është paksa e habitshme se si krejt kjo filloi, në fazën e fundit të finalizimit të pakos ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, kur pritet konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme, të grumbulluar me korrupsion dhe krim të organizuar, të cilën ish pushtetarët e inkriminuar, nuk dinë se si ta arsyetojnë, për ti ikur konfiskimit”, shpjegon analisti Gani Qarri.
Qarri jep edhe paralajmërim e keq për partinë tashmë të formuar, Guxo, për të cilën thotë se nuk mund ta kalojë as pragun zgjedhor.
“Sa i takon partisë Guxo, siç dihet ajo është parti e re, e vogël dhe e pa profilizuar sa duhet politikisht, ndaj duke marrë parasysh faktin se sidomos partitë e vogla, jo vetëm janë tkurrur edhe më tepër, por kohën e fundit, kanë rënë edhe nën pragun zgjedhor, edhe Guxo nuk shohë të ketë perspektiv të konkurrojë në zgjedhje e vetme, por në koalicion në mënyrë që ta kalojë pragun zgjedhor”, nënvizon Qarri.
Ai thotë se largimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelilit është fillim i një skenari të orkestruar nga SHIK-u, që synim ka rrëzimin e qeverisë Kurti.
“Ndërsa largimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelilit, përveçse është lajm i keq për Guxo dhe vet z. Kurti, është edhe fillimi i realizimit të aktit konspirativ të transfereve të deputetëve të luhatshëm e aksidental, i orkestruar nga SHIK-u, për prodhimin e krizave të qëllimshme në koalicionin qeverisës, prishjen e balancës së votimit dhe të vendimmarrjes me 61-65 vota në Kuvend, si dhe luhatjen e istikameve me fuqi absolute të Qeverisë Kurti, të betonuar me 51% të votave të qytetarëve në nivel vendi. Sipas kalkulimeve të prognozuara nga Beogradi, përveç largimit të deputetes Doarsa Kica, edhe 6-7 deputetë të tjerë do ta “braktisin” LVV-në, skenar ky i sofistikuar i SHIK-ut, për rrëzimin e Qeverisë dhe bërjen e vendimmarrjes, jo-funksionale, në momentet vendimtare të bisedimeve Kosovë-Serbi”, deklaron Qarri.
“Inskenime perfide, të orkestruara shkaku i këmbënguljes së Qeverisë Kurti, që të mos lëshojë pe për targat, madje përkundër presionit të Serbisë, Qeveria aktuale nuk po pranon krijimin e “zajednicës” me kompetenca ekzekutive, dhe as ndarjen e Kosovës, ngase marrëveshjet e tilla ishin akte tradhtie, për të cilat, pas reformimit të sistemit të drejtësisë dhe përfundimit të procesit të Vetting-ut, autorët e nënshkrimit dhe miratimit të tyre, në dëm të Kosovës, duhet e do të vendosen medoemos prapa grilave dhe marrin dënimin e merituar”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.