Ekskluzive: Pagat janë ekzekutuar, dalin në xhirollogari të hënën

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se ka informatë se pagat që u ndaluan nga Qeveria e Kosovës për grevistët në sektorin publik, janë ekzekutuar pasditen e së premtes dhe do të dalin në xhirollogari të hënën.

Këtë informatë, Ibrahimi thotë se e mori si të konfirmuar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

“Duke ardhur këtu më telefonoi zoti Lladrovci dhe më dha informatë për gëzim dhe më tha që në ora 15:00 Ministria e Financave i ka ekzekutuar pagesat. Kryetari Lladrovci ma dha si informatë të konfirmuar dhe kjo vjen pas një presioni të Asociacionit të Komunave. Bëhet fjalë për të gjithë punonjësit e sektorit publik në nivelin lokal”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV’së.

Ibrahimi ka thënë se konferenca e nesërme e thirrur nga Qeveria sigurisht se do të jetë për të njoftuar për ekzekutimin e këytre pagesave.

“Janë ekzekutuar pasdite që të mos dalin nëpër xhirollogari deri të hënën. Për nesër kanë thirrur konferencë dhe me siguri për ta dhënë këtë lajm”, ka thënë ai.

Por, ai thotë se ekzekutimi i pagave ka ardhë pasi ‘Asocacioni i Komunave ia ka hapur sytë qeverisë’.

“Ata as që e kishin ditur që në kontrata është afati që paga duhet të dalë deri në datën 5”, ka thënë Ibrahimi.