E trishtë/ Tre të miturit, më pas Ekrem Rexha dhe në fund i pesti kryen aktin çnjerëzor të dhunimit të 11-vjeçares

Dy nga pesë të dyshuarit për dhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë, vëllezërit Ekrem dhe G.Rexha, u dërguan dje në paraburgim. Në duart e Policisë tashmë janë edhe dy të dyshuarit e tjerë, të miturit G.J. dhe Xh.S. Edhe i dyshuari i pesë është identifikuar dhe Policia është vënë në ndjekje të tij. Kjo ngjarje e tmerrshme ka ndodhur fillimisht në parkun e Dragodanit në Prishtinë, për të vazhduar më pas në një lokacion tjetër të panjohur.

Për këtë akt çnjerëzor që tronditi vendin janë zbuluar detaje të reja, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, G.R., Xh.S. dhe G.J., keqtrajtuan seksualisht vajzën e mitur, në lagjen Arbëria, në Prishtinë, për të shkuar më pas aty edhe 26-vjeçari Ekrem Rexha, të cilin e ka thirrur vëllai i tij G.Rexha.

Ekremi po dyshohet se ka shkuar deri aty me veturën e tij ‘PickUp’ dhe e ka marrë vëllain e dy të miturit e tjerë të dyshuar dhe vajzën që po përjetonte tmerrin. Rrugës, te varrezat dyshohet se ka zbritur G.Rexha dhe i mituri Xh.S, ndërsa me Ekremin kishte vazhduar i mituri tjetër G.J.

Ata u larguan nga ai vend për një lokacion tjetër, ku pas një periudhe të shkurtër, Ekremi dyshohet se ka ndaluar veturën dhe e ka dhunuar vajzën e mitur. Për të mos mbaruar me kaq kjo ngjarje makabre, Ekremi dyshohet se më pas e ka thirrur të dyshuarin e pestë, i cili ndodhet akoma në arrati.