Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një konferencë për media, ka thënë se sot mbi 26 komuna të Kosovës do të dorëzojnë padi ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë për kontratat kolektive.
Në mesin e këtyre komunave është edhe komuna e Skenderajt e udhëhequr nga Fadil Nura i PDK-së.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar, sot komunat e Republikës së Kosovës do të deponojnë padi sa i përket çështjes së kontratave kolektive ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, ku vlera e dëmit tejkalon shumën prej 35 milionë euro. Synimi kryesor është që këto mjete financiare të kthehen në buxhetet komunale”, tha Ibrahimi.
Ai tha se shumica e mjeteve financiare që janë marrë për zbatimin e kontratave kolektive janë marrë “padrejtësisht” nga niveli lokal dhe se ato mjete kanë qenë të dedikuara për investime kapitale.
“Në bazë të informatave, janë mbi 26 komuna që do të dorëzojnë padi”, tha kreu i AKK-së.