Qytetari nga Prishtina, Visar Dili ka filluar kampanjën kundër propozimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Ai dhe shumë qytetarë nga vendi po shprehin kundërshtinë e tyre përmes platformës online duke paralajmëruar edhe protestë para institucioneve përkatëse.
Aktivisti dhe iniciatori i kësaj platforme, që nga e shtuna ka nisur kundërshtimin për dyfishimin e vlerës së tarifave të energjisë elektrike
“Kampanja ka filluar të shtunën, me një fotografi që e kam postuar në Facebook dhe me një hashtag kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ka filluar si kampanjë virtuale për të parë interesimin e popullatës rreth kësaj çështjeje. Pasi që veç të shtunën është informuar në mëngjes popullata prej mediave që ministrja e ‘habereve të zeza’, zonja Rizvanolli ka njoftuar se do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike dhe njëfarë mënyre është munduar që popullatës t’i shpjegojë se si të bëhet kursimi i energjisë elektrike”, thotë ai.
Marrë parasysh dimrin e vështirë të vitit të kaluar, Dili thotë se ka vendosur që në platformë virtuale të shohin edhe interesimin e qytetarëve në lidhje me këtë çështje. Për çka tregon se po mbështetet nga shumë qytetarë.
“Kemi filluar me aksionin e parë, nuk do të jetë aksioni i fundit. Do të ketë edhe aksione të tjera. Kemi paralajmëruar dhe paralajmërojmë edhe për protesta. Gjykata Kushtetuese ishte ajo që në pranverën e këtij viti refuzoi dhe kundërshtoi shtrenjtimin e energjisë elektrike. Dhe kjo na vije në derë kësaj radhe për fajin e qeverisë, pasi që ata nuk paguan subvencionimin prej 90 milionë eurove, të cilën ia premtuan KEDS-it dhe ne do të shkojmë prapë tek dera e tyre dhe do kërkojmë edhe nga ta mbështetje në forma të cilat ligjërisht ata i shohin që janë më të mira duke mos lejuar që kjo neglizhencë e qeverisë të bie mbi barrën e qytetarit”, deklaron ai.
Që nga e shtuna është duke u zhvilluar kjo platformë online, ku mbrëmjen e së martës janë ndezur qirinj para qeverisë, në simbolikë të territ dhe reduktimeve të energjisë elektrike.
“Ne do të vazhdojmë aksionin e radhës prapë para qeverisë, pastaj do të shkojmë prapë para KESCO-s, sepse siç dihet, KESCO i ka dhënë 20 ditë afat qeverisë që ta paguajë subvencionin prej 90 milionë eurove. Nëse nuk bëhet ajo, prej shtatorit neve na presin tarifat e shtrenjta. Do të mundohemi që brenda këtyre ditëve, nëse shohim që qeveria nuk është duke punuar, të thërrasim edhe protestë”, përfundon ai.
Furnizuesi me rrymë, KESCO ka propozuar të premten dyfishimin e tarifave të rrymës, kjo është arsyetuar me mos disbursim të subvencioneve të premtuara nga qeveria dhe me rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare. /KP/