Grenell pasi telefonon Thaçin: Po të ishte President, populli i Kosovës do të ishte në paqe

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka njoftuar se ka biseduar në telefon me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili gjendet në paraburgim në Hagë.

Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se është i bindur që nëse Thaçi do të ishte president i vendit, populli i Kosovës do të ishte në paqe.

“Sapo bisedova me Hashim Thaçin nga burgu në Hagë. Jam i bindur se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse ai do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre – dhe më shumë punë për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, ka shkruar Grenell.

 

Ndryshe, ish-emisari është kritik ndaj kryeministrit, Albin Kurti dhe qeverisjes së tij.

Madje, ai kishte kërkuar rikthimin e Thaçit edhe më 31 korrik, ditën kur situata në veri të vendit ishte tensionuar për shkak të vendimit për masën e reciprocitetit me Serbinë.