Njohësi i zhvillimeve politike, Fatmir Sheholli e ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti për komentet e tij ndaj ish-kryeministrit Haradinaj në lidhje me takimin që ai e kishte pasur para disa vitesh me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Madje, në një moment, Sheholli këtë e quan paftyrësi të kryeministrit Kurti, shkruan lajmi.net.
“Është një paftyrësi e kryeministrit Kurti kur i thotë ish-kryeministrit Haradinaj – “Është dallim i madh, ky është në listë të zezë, e ky nuk o”. Është paftyrësi, sepse në vitin 2018, kur është takuar Haradinaj si kryeministër me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, as s’u kanë në listë të zezë, as s’ka pasë aktakuzë, asgjë në këtë dyje s’ka pasë ndaj atij njeri. Po nëse Rakiqin e shtijnë amerikanët në Listë të Zezë, a mundet tani nesër Haradinaj me i thanë Albin Kurtit të njëjtat fjalë që po ia thotë ky sot?”, tha ai në Kanal10.
Për më tepër, në pyetjen e moderatorit se “A po e quan Kurtin zëdhënës të Departamentit Amerikan të Shtetit?”, Sheholli u përgjigj se Kurti po e luan rolin e zëdhnësit të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, të cilin sipas Shehollit po e mbronë.