Alarmante: Për 6 muaj Kosova i humbi mbi 50 qytetarë në aksidente (faktorët)

Numri i aksidenteve në Kosovë shënon rritje sidomos gjatë muajve të verës kur edhe numri i qytetarëve në vend rritet për shkak të ardhjes së diasporës në pushime, shkruan Gazeta Infokus.

Nga Policia kanë bërë të ditur për Infokus se këto janë shkaqet më të shpeshta të aksidenteve në vend:

· Mos mbajtja e distancës 18.9%

· Mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës/klimatike 16.3%

· Manipulimi i pasigurt me automjet (pakujdesia) 16%

· Kyçje e pasigurt në rrugë 7.5%

· Mos respektimi i përparësisë së kalimit 7.5%

Po ashtu nga policia për Infokus kanë treguar edhe dallimin me 6 mujorin e parë të vitit të kaluar ku pati më shumë të vdekur nga aksidentet.

Kështu sipas të dhënave në 6 mujorin e parë të vitit 2021 pati 47 aksidente fatale, ku prej tyre 56 persona kishin humbur jetën.

Në periudhën janar-qershor të vitit të kaluar është bërë e ditur se kanë ndodhur gjithsej 9 mijë e 244 aksidente ku prej tyre 3 mijë 403 aksidente kanë qenë me lëndime ndërsa 5 mijë 794 vetëm me dëme materiale.

Ndërsa, në krahasim me këtë vit, në po të njëjtën periudhë janar-qershor, 2022 kanë ndodhur gjithsej 9 mijë 352 aksidente ku prej tyre 3 mijë 518 aksidente kanë ndodhur me të lënduar si dhe 5 mijë 790 aksidente kanë ndodhur me dëme materiale.

Kurse në të njëjtën periudhë kohore, vitin e kaluar janë shqiptuar 218,832 tiketa, ndërsa në krahasim me vitin e kaluar këtë vit janë shqiptuar më shumë gjoba për 6 muajt e parë të vitit, duke arritur numrin në 321,594 gjoba.

E kjo pavarësisht se Policia e Kosovës po punon për vetëdijesimin e qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në trafik.

“Policia e Kosovës çdo vit angazhohet me masa shtesë, ku në kuadër të këtyre masave në implementim është edhe Urdhri Operativ Sezona Verore 2022. Policia e Kosovës vazhdimisht bënë apele dhe kampanja vetëdijesuese ,të cilat përcillen përmes rrjeteve sociale të Policisë së Kosovës ku si kampanje e fundit ka qenë “Ardhja e bashkatdhetarëve” . Bazuar në gjendjen e sigurisë në trafikun rrugor Policia e Kosovës vlerëson se ka resurse te mjaftueshme për të ofruar siguri në trafikun rrugor për të gjithë pjesëmarrësit”, thuhet në përgjigjen e PK për Infokus.

Ndryshe nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se kanë realizuar edhe fushatën sensibilizuese me qëllim të ngritjes së sigurisë në bashkësi “ Të kujdesemi për sigurinë”, ku kanë shpërndarë fletushka për udhëtarët në pikat kufitare e ku shumica janë ata të diasporës.

Ndërkaq disa nga kampanjat sensibilizuese që Policia e Kosovës ka realizuar këtë vit janë, fushatë- vetëdijesimi i mospërdorimit te telefonit në trafikun rrugor në Mitrovicë; aktivitete vetëdijësuese ‘Sezoni veror 2022’ në Gjilan; Policia me fushatë vetëdijësuese për qytetarët po ashtu në Gjilan, etj.

E gjithashtu Policia e Kosovës për të arritur edhe më shumë siguri në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ka mundësuar lansimin e platformës digjitale “LAJMËRO POLICINË”, ku u ofron qytetarëve që të raportojnë raste të ndryshme që janë kundër ligjit.

Ndryshe, përveç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.

“Policia e Kosovës sipas planifikimeve operacionale, parasheh aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik. Andaj, përveç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik. Për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për shoferët e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut, do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë për Infokus.