Lufta me sëpata e Ahmet Delisë nga Prekazi heroik

Ahmet Delia (1850-1913) ishte një burrë me nam nga Prekazi. Kulla e këtij atdhetari ishte gjithmonë e hapur për Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletini, e atdhetarë tjerë. Ahmeti me të birin Murselin dhe me bashkëluftëtarë në kullën e tij kuvendonin për një kryengritje të përgjithshme kombëtare kundër pushtuesëve.
Më 1912, si shumë herë më parë Hasan Prishtina kishte shkuar në kullën e Ahmet Delisë, duke njoftuar të pranishmit se Parlamenti Turk nuk kishte dashur as të dëgjonte zërin e deputetëve shqiptarë për t’i plotësuar kërkesat e tyre. Por edhe pohon se të njëjtën ditë në Stamboll, nën kryesinë e Ismail Qemalit, ishte mbajtur një mbledhje e fshehtë, ku ishte vendosur që në Kosovë, sa më herët të filloj një kryengritje e përgjithshme, e cila do të shtrihej në të gjitha viset shqiptare.
Krerët e Drenicës prezent, e përkrahën qëndrimin dhe vendimin e Hasan Prishtinës dhe të Ismail Qemalit, duke u betuar me besë se do të japin çdo gjë për lirinë e atdheut dhe u nisën për në Kuvendin e Junikut, ku ishin mbledhur të gjithë krerët e Kosovës, Dibrës, Shkodrës si dhe krerë të viseve jugore të Shqipërisë. Në këtë Kuvend u aprovua programi me kërkesat tona kombëtare, kështu që kryengritja jonë shqiptare mori kuptimin e vërtetë të një kryengritje të përgjithshme.
Nën trysninë e vazhdueshme të kryengritësve shqiptarë, forcat turke u detyruan të tërhiqen nga tokat tona, s’do mend se kjo tërheqje u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë e cila u kurorëzua më 28 nëntor të vitit 1912.
Nga ana tjetër, në mënyrën më të pa drejtë e në kundërshtim me të gjitha parimet ndërkombëtare mbi të drejtën e popujve për të jetuar të lirë në shtetet e tyre sovrane, fuqitë e mëdha evropiane, njëanshëm, duke shkelur mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar, njohën të “drejtën” e shteteve fqinje serbe e malazeze për copëtimin dhe aneksimin e tokave të Shqipërisë! Evropa ndau tokat tona.
Populli shqiptar u detyrua që të dalë në mbrojtje të tokave të veta me të gjitha mjetet që posedonte atë kohë, pra edhe me mjete luftarake. Xhandarmëria famëkeqe e Pashiqit, veç kishte filluar reprezaljet nëpër disa fshatra të Drenicës. Disi, pas shpalljes së Pavarësisë, kryengritjet shqiptare sikur kishin pushuar, por jo edhe veprimet e dhunshme të xhandarmërisë serbe.
Ishte fillimi i janarit, viti 1913, krimet mbi popullin tonë shtoheshin. Në këngën mbi Ahmet Delinë, gjejmë fjalët:
-“Ky Ahmeti çka ka thanë: a e kem besën siç e kemi dhanë! ”…
Ishte dhënë fjala e burrave se do të rezistojnë me të gjitha mjetet e mundshme, pa e kursyer as jetën në mbrojtje të tokave dhe popullatës sonë, duke i dalë në mbrojtje vëllai vëllait, fqinji fqinjit, fshati fshatit.
Një grup xhandarësh serb, pak ditë pasi që ishte dhënë “ besa e burrave”, në kullën e Ahmet Deliut, kishin mësy Prekazin. Ata kishin terrorizuar dhe plaçkitur dy- tri shtëpi në Prekaz. Lajmi kishte shkuar tek Ahmet Delia, i cili u bëri zë burrave për mobilizim, kurse ai nuk priti të mblidheshin burrat sepse piskamat e fëmijëve dhe grave në familjen e Halilit dëgjoheshin lartë në qiell. Pa humbur kohë, mori sëpatën, ate që e kishte më afër dhe bashkë me djalin Murselin, shkuan në mbrojtje të Halilit. Kënga popullore rrëfen për këtë histori tragjike dhe heroike:
…“ Te Halili janë hi shkinia,
Bërtasin robt, piskasin fëmija,
Po na i nin Ahmet Delia “…
Ahmeti dhe Murseli shpejtojnë në drejtim të shtëpisë së fqinjit të tyre. Në derën e oborrit, ata lënë në vend rojën serbe. Sa po e hap derën, në oborr Murseli ia merr pushkën një xhandari dhe e vret bashkë me disa xhandarë tjerë që merreshin me gratë dhe fmitë e Halilit.
Ahmet Delia hyn në kullë, në të hyrë të saj, në shkallë ndeshet me një tjetër xhandar dhe e godet me sëpat.
Përleshja ishte e ashpër. Ndërkohë Ahmeti plagoset rëndë, kurse trimat tjerë të Prekazit, si: Rama, Xheladini, Jetullahu, Hajredini e të tjerë veç më kishin ardhur, duke rrethuar xhandarmërin serbe.
Kënga vazhdon më tej me….
…“ Pa u provu nuk njihet trimi,
Dy na i mbyti Xheladini”…
Në këtë akt heroik të burrave u vra Ahmet Delia, disa të tjerë u plagosen. Nga ana xhandarëve 12 mbetën të vrarë, shpëtoi një prej tyre.
Më vonë, Murseli i biri i Ahmet Delisë ishte ndër luftëtarët më të shquar të Azem Bejtës,ishte njeriu më i afërt i tij. Vdiq në vitin 1930, në rrethana misterioze në një spital të Shkupit.