Shemsedin dhe Mervete Sopaj kishin marrë rrugën nga Sllovenia për t’i kaluar pushimet në Kosovë. Por një aksident i rëndë në të cilin u përfshinë ua ndali në gjysmë planet për të takuar familjarët e për t’u çmallur me vendlindjen e tyre.
Vetura me të cilën po udhëtonin bashkë me dy fëmijët e tyre E.S. 5-vjeç dhe S.S 3-vjeç, u ndesh me një autobus dhe si pasojë dy prindërit humbën jetën, ndërsa dy të miturit mbetën të lënduar rëndë.
Gazeta Sinjali mëson se aksidenti tragjik ka ndodhur në fshatin Siboc të komunës së Podujevës, ku një autobus i kompanisë ‘Dita’ ishte ndalur në rrugë për shkak të një defekti. Në të ishte përplasur vetura e tipit Audi, të cilën e drejtonte Shemsedini.
MOS E HUMBISNI
Nje zgjidhje pak e ditur per te eleminuar variçet
Varydex
Në vendin e ngjarjes kishin dalë menjëherë njësitet policore bashkë me ekipin e Emergjencës, ku mjeku kishte konstatuar vdekjen e dy mërgimtarëve. Ndërsa dy fëmijët ishin dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se aksidenti me pasoja fatale ka ndodhur rreth orës 04:40 dhe trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Kurse lidhur me gjendjen shëndetësore të fëmijëve, për Sinjali është deklaruar mjeku kujdestar i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, i cili tha se gjendja shëndetësore e fëmijëve është stabile, por ata kanë mbetur me lëndime të rënda nga aksidenti.