Listat e kandidatëve për deputetë dërgohen për verifikim në gjashtë institucione nga KQZ-ja 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot zyrtarisht i është drejtuar gjashtë institucioneve për verifikim të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt 2021.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media ka treguar se KQZ i ka dërguar në gjashtë institucione shkresat e veçanta për të bërë konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 për zgjedhjet e përgjithshme.

Elezi ka treguar se këto shkresa kanë shkuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministrinë  e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes

“ Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet.

Germa ‘e’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është e) pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kemi kërkuar nga ky institucion të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtar të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Germa ‘c’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: c) pjesëtar i Policisë së Kosovës. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtar të Policisë së Kosovës kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Germat ‘b’ dhe ‘k’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: b) pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe k) pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët përmbushin edhe këtë kriter, kemi kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të forcave të armatosura të Kosovës.

Germa ‘g’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: g) përfaqësues diplomatik. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë përfaqësues diplomatik, kemi kërkuar nga Ministria e Jashtme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë përfaqësues diplomatik.

Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit. Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit.

Germat ‘o’, ‘r’, dhe ‘s’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person të cilit o) me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it i është hequr e drejta për të qenë kandidat; r) ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe s) ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhëri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë subjekt i vendimit të PZAP-it për t’iu hequr e drejta për të qenë kandidat; nëse kanë dështuar të paguajnë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe nëse kanë dështuar t’i përmbahen ndonjë urdhrit të PZAP-it”, tha Elezi.

Ai shtoi se kanë kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021, në orën 12:00, të ju përgjigjen kërkesave të tyre.

/RTV-OKARINA