Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes i ka rekomanduar Kuvendit për miratim Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027, me pesë vota për, dy kundër dhe një abstenim.
Shqyrtimi dhe votimi i dokumentit është bërë pa praninë e mediave ndërsa pas mbledhjes së komisionit është thënë se presin që javën e ardhshme të jetë pikë e rendit të ditës në seancë plenare.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli tha se ky është një prej dokumenteve më të rëndësishme që identifikon rreziqet e ndryshme, por edhe udhëzon institucionet se si t’i adresojnë ato.
“Në fund me 5 vota për dhe 2 kundër, një abstenim, komisioni mori vendim që t’i rekomandojë Kuvendit miratimin e kësaj strategjie…. Pas këtij takimi, procedohet për seancë dhe besoj që javën e ardhshme kjo pikë e rendit të ditës do të jetë për votim”, ka thënë Dugolli.
Sipas tij, deputetët kanë treguar qasje konstruktive në shqyrtimin e kësaj strategjie.
“Deklarimet e javës së kaluar kanë qenë të nxituara, sepse edhe deputetët e pranuan që nuk e kanë analizuar sa duhet dokumentin e strategjisë së sigurisë. Në këtë takim ka pasur një qasje konstruktive dhe problemet janë adresuar në mënyrë profesionale. Është kërkuar një koordinim pak më i mirë ndërinstitucional. Edhe sa i përket komisionit, u kërkua të ketë vazhdim të hartimit me koordinim më të mirë dhe edhe komisioni të jetë sa më shumë i përfshirë në dhënien e rekomandimeve në hartimin e këtij dokumenti”, ka thënë ai.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni tha se një prej vërejtjeve me të cilat janë pajtuar të gjithë anëtarët e komisionit ka qenë se ky komision nuk është përfshirë në hartimin e këtij dokumenti.
Kam dhënë disa vërejtje të mia, të cilat besoj që Këshilli i Sigurisë do të duhej t’i merr në konsideratë… Do të shfrytëzojmë mundësinë tonë që të gjitha që u folën në komision t’i prezantojmë edhe në parlament. Shpresoj në parlament të ketë reflektim më pozitiv dhe të merren në konsideratë… Ne jemi duke përballur edhe me migrimin e madh të qytetarëve. Është paradoks të flasim për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, pasi është shqetësuese largimi i rinisë nga Kosova dhe këto institucione nuk ofrojnë për të rinjtë e Kosovës një atraktivitet që ata ta gjejnë veten brenda këtyre institucioneve. Është edhe gjendja sociale ekonomike, varfëria, që do të duhej të merreshin në konsideratë para se të hartohej ky draft”, ka thënë Quni.
Në mbledhjen e komisionit ku u votua Strategjia e Sigurisë morën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli i Sigurisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Javë me parë Qeveria e Kosovës e ka miratuar Strategjinë e Sigurisë 2022-2027 e cila është e dyta që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.