Fshati Tushilë i komunës së Skenderajt është ndër fshatrat më të pasura në këtë komunë me të kalurën e tij historike rreth gjetjes së artefakteve.
Ky fshat sipas studiuesve është vendbanim mesjetar, ku në atë kohë përbëhej nga “Qyteti i Vogël, “Qyteti i Madh” që ndodhej në pozitë jashtëzakonisht strategjike, ku ngrihej vendbanimi mesjetar i fortifikuar, nga një Kishë Mesjetare që sot quhet “Livadhi i Kishës”, “varreza të moçme” mesjetare dhe “Traseja e rrugës së vjetër” që sot gjindet në gjatësi prej 40 metrash dhe gjerësi prej 3 metrash në drejtim të fshatit Kopiliq, ku kjo rrugë lidhte këto dy fshatra në kohën e mesjetës.
Fshati Tushilë duke pasur një pozitë tejet të mirë gjeografike për mënyrën e jetës mejsetare, bëri që ky fshat i ditëve të sotme, dikur të ishte një qytet në vete.
Sipas studiuesit Haxhi Mehmetaj në librin e tij “Trashëgimia Arkelogjike e Komunës së Skenderajt” emri i fshatit Tushilë ngjason me emrin e kështjellës së këtij fshati që quhej “Tezule”, të cilën kështjellë e përmend edhe historiani Prokopi në listën e kështjellave të ndërtuara nga Perandori romak Justinian në Dardani, ku sipas këtij studiuesi kjo kështjellë përbente edhe “Qytetin e Madh” në fshatin Tushilë, ndërsa në ditët e sotme nuk janë ruajtur gjurmë të “Qytetit të Vogël” që gjindej në lindje të “Qytetit të Madh”.
Poashtu në këtë fshat është gjendur një kokë mermeri me portretin e një burri që i takonte shek. II dhe shek. III pas Lindjes së Krishtit, e cila është dërguar në Beograd nga eksploruesi i eksponateve arkelogjike të Kosovës, historiani serb Novakoviq, ndërsa në ditët e sotme nuk dihet vendodhja e kësaj koke të mermertë që do të përbentë një prova shumë të rëndësishme për trashëgiminë e kulturore të këtij fshati.
Kohëve të fundit fshati Tushilë i komunës së Skenderajt është shëndërruar në një atraksion turistikë në bazë të bukurive natyrore që posedon dhe historisë së lashtë që përmban ky fshat.