Historia mesjetare e fshatit të Sylë Rezallës e Malush Ahmetit (Video)

Rezalla ruan të koduar gjatë shekujve emrin e prijësit të krishterë të Mesjetës, me origjinë hebraike, Llazer Hebrelani. Të dy këto personalitete të njohura të mesjetës, janë përvetësuar nga historiografia serbe, meqë serbët asokohe kishin mbajtur nën pushtim trojet e Dardanisë për afro 200 vjet.
(Rezall-Llazer)
Duke folur për praninë e serbëve gjatë Mesjetës në Kosovë, studiuesi Qerim Dalipi thotë: “Prania e popullsisë serbe në Kosovë sipas burimeve të shkruara dëshmohet që në shek. XI, ndërsa në një farë mase fillon të shtohet në gjysmën e dytë të shek. XII dhe në fillim të shek. XIII, atëherë kur Kosova hyri në kuadrin e Shtetit të Nemanjidëve. Në atë periudhë kohore, popullsia e viseve veriore serbe filloi të depërtojë me të madhe në drejtim të jugut. Në çfarë raporti arriti ajo ndaj popullsisë vendase arbërore, nuk mund të thuhet kurrgjë.” (Qerim Dalipi, www.kosovo.net)
Pavarësisht nga pushtimi sllav, shqiptarët në këto dhe fshatra të tjera të Drenicës kanë qenë dhe kanë mbetur popullatë dërrmuese, autoktone, me lëvizje të lehta nga një rajon në tjetrin, ose nga një trevë shqiptare, në tjetrën.
Legjendat dhe trashëgimia gojore që është rrëfyer dhe rrëfehet për këto dy fshatra, gjetjet fragmentare të kulturës fizike, sidomos në Kopiliq dhe në Rezallë, rrëfimet që kanë arritur deri në kohën tonë, lidhur me Luftën e Kosovës të vitit 1389, supozimi se në varrezat e fshatit Rezallë ndodhet varri i Milush Nikollë Kopiliqit, toponimia dhe antroponimia shumë e pasur dhe e llojllojshme e kësaj ane, japin për të kuptuar se pavarësisht shkatërrimeve, pushtimeve dhe djegieve të shpeshta, apo tërmeteve që kanë ndodhur në këtë territor të Drenicës qendrore, jeta e shqiptarëve në këto troje ka rrjedhë në vazhdimësinë e saj historike, qysh prej Ilirisë e deri në ditët tona.
Në historinë serbe nuk kontestohet fakti se emri Llazar i përket origjinës hebraike në trajtën autentike, Eleazar. Ky emër ndër sllavë-folës dëgjohet në trajtën Llazar, Llazarevo, Llazareviq, Llazarica, etj. Ndër shqiptarë kjo trajtë shqiptohet Llazër-Llazri. Emër i prejardhjes biblike, një i ri, të cilin thuhet e kishte ringjallur Jezusi.
Fshati Rezallë kufizohet me fshatrat: Polac, Makermal, Likoc, Kopiliq i Ulët, Tushillë, Marinë dhe Llaushë. Kopiliqi i Epërm kufizohet me fshatrat: Kllodernicë, Izbicë, Vajnik, Turiqec,( fshat që ndan Kopiliqin e Epërm nga Kopilqi i Ulët,) ndërsa Kopiliqi i Ulët kufizohet me fshatrat, Turiqec, Rezallë, Tushilë, Likoc, Ticë.
Emri i fshatit Rezall, tani i gjinisë femërore, Rezallë, del i shënuar qysh në regjistrimin e vitit 1455, në “Defterët turq të Vilajetit Vëllk”. Në vitin 1455, Rezalla kishte nëntë shtëpi shqiptarë, të fesë ortodokse, dhe vetëm një shtëpi me prejardhje sllave apo vllahe. Kryefamiljarët kryesorë të fshatit kanë qenë:
Marko Mati, Pavël Dhimitri, Gjura Dhimitri, Radi i biri i Radihnës, analog me Radihna i biri i arbanasit në Kllodernicë, Millani i biri i Kojes. Kryefamiljari, që konsiderohet me origjinë sllave quhej, Raje Bajçiniq. (Dr. M. Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 92. – 232.) Përderisa trajta e sllavizuar Llazar është zgjeruar në trajtat: Llazarevo, Llazareviq, etj, trajta Rezall, nuk hetohet askund ndër serb-folës, madje, me sa kemi njohuri, një emër-vend i tillë homolog nuk ekziston as në trojet shqiptare.
Është për ta marrë në konsiderim mundësinë se të parët e këtij fshati në Mesjetë, me qëllim për ta ruajtur emrin e prijësit Llazer, e koduan këtë emër, duke e shqiptuar nga prapa dhe duke përfituar një trajtë homonime, mbase me qëllim për t’i ikur hakmarrjes nga turqit. Jo rastësisht rezallasit kanë ruajtur edhe kujtimin për Milush Kopiliqin. Në Varrezat e fshatit ndodhen dy gurë të mëdhenj të varrit, të latuar me kujdes, nën një rrap shekullor, dru qarri, ku nga brezi në brez është trashëguar e dhëna se aty është varri i Milush Kopiliqit. Disa dhjetëra metra më në veri, ndodhet një rrap tjetër, shumëdegësh dhe nën te ndodhen një shumicë gurë varrezash, të cilat janë ruajtur me fanatizëm nga rezallasit, si kujtim për eshtrat e të parëve.
Varrezat e fshatit Rezallë ofrojnë material të rëndësishëm për studimin e varrezave të epokave të ndryshme nga e kaluara, por edhe për arkeologjinë. Në këto varreza gjendet edhe varri i Sylë Rezallës, një personazh i njohur i këngëve të trimërisë, i cili ka jetuar në gjysmën e parë të shekullit 19-të. Në krye të Varrezave ndodhet edhe Kompleksi Memorial për 100 rezallasit e rënë dhe të martirizuar gjatë kohës së luftës së UÇK-së, në mesin e tyre ende  të zhdukur.
https://www.facebook.com/profile/100000863407582/search/?q=rezalla%20