Vrasja për 20 euro borxh, i akuzuari thotë se familja e tij s’mund të lëvizë lirshëm shkaku i raporteve me atë të viktimës

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka përfunduar procedura e provave me dhënien e mbrojtjes nga akuzuari Sylejman Ahmeti, i cili tha se familja e tij nuk mund të lëvizë lirshëm pasi nuk i ka rregulluar raportet me familjen e tani të ndjerit.

Ahmeti po akuzohet se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës për shkak të një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Ahmeti ka thënë se familja e tij kanë tentuar të rregullojnë raportet me familjarët e të ndjerit Sh.K dhe t’i kërkojnë falje, por që ata nuk kanë pranuar një gjë të tillë dhe se për këtë ai tha se familja e tij nuk mund të lëvizin lirshëm.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Teuta Krusha, se a është e vërtetë se gjatë bisedës mes tani të ndjerit Sh.K dhe Nijazi Ahmetit ka pasur fyerje dhe sharje, i akuzuari Ahmeti ka pohuar se mes tyre ka pasur mosmarrëveshje por që nuk e di arsyen e kësaj.

Ai ka shtuar se tani është në dijeni se kjo mosmarrëveshje ka qenë për shkak të borxhit për punimet e kryera më herët.

Tutje, ai ka mohuar faktin se veprimet të cilat i ka bërë ditën kritike të kenë qenë arsyeja e borxhit që i ndjeri Sh.K i kishte pasur Nijazi Ahmetit.

Po ashtu, ai tha se në ditën kritike ka kontaktuar me tani të ndjerin Sh.K dhe i ka kërkuar që të takohen për të sqaruar problemin që kishte me vëllanë e tij Nijaziun.

“Unë e kam lutur Sh. që të takohemi të pijmë kafe dhe të bisedojmë për çfarë problemi bëhet fjalë, mirëpo Sh. nuk e ka pranuar ofertën time”, tha i akuzuari Ahmeti.