Publicisti dhe analisti politik serb Tomislav Kresoviq ka paraqitur informacione” tronditëse” për Marko Millosheviqin, djalin e ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq.
Kresoviq pretendon se Marko Millosheviq është kreu i një karteli serioz dhe ai është një nga bosët e mafies ruse.
Marko Millosheviq është tani një nga bosët ndërkombëtarë të mafies ruse mes Azisë dhe Evropës. Ai drejton një kartel serioz mafioz. Marko po kthehet por punët e tij janë këtu – ka pas thënë Kresoviq në një intervistë, shkruan gazeta serbe MONDO, përcjell Paparaci.
Kresoviq pretendon se e di se Marko tani flet rrjedhshëm rusisht dhe se ai, mund të jetë nën vëzhgimin e shërbimit të inteligjencës ruse si djali i ish-presidentit të Jugosllavisë.
Në fund të fundit, nëna e tij jetonte atje. Ajo jetonte në Barviha. Ajo ëshë “Dedinje e Rusisë” dhe ajo nuk mund të jetojë atje me pensionin e saj – ka thënë Kresoviq,.
NËSE MARKO GËNJEN, KARTELA E PARKIMIT NUK GËNJEN
Për Marko Millosheviqin, djalin e ish-presidentit të RF të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq dihet pak, pasi ai u largua nga Serbia me nënën e tij Mirjana dhe u shpërngul në Rusi. Vite më parë kishte vetëm disa informacione kontradiktore për të dhe në mars të këtij viti portali rus “Bashkëbiseduesi” (sobesednik.ru) zbuloi detajet se si realisht jeton djali i Millosheviqit në Rusi, çfarë bën, madje edhe çfarë jete emocionale ka.
Sipas informacioneve të tyre, djali i Sllobodan Millosheviqit fillimisht ka jetuar afër stacionit të metrosë “Prospekt Mira”. Në atë kohë, banesa ishte e Irina Baglay, vajzës së ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ruse, Marat Baglay. Ajo gjithashtu posedon pasuri të paluajtshme në një resort elitar të fundjavës, ku është regjistruar tani Marko. Marrëdhënia e Millosheviqit me Irinën vërtetohet edhe nga të dhënat për parkimin në kryeqytet: ai e ka paguar me celular parkimin e një “Audi Q5” në pronësi të Irina Baglay.
Sipas informacioneve në dispozicion, Irina Baglay zotëron gjithashtu 25 hektarë tokë në Rubljovka – në resortin turistik Iljinskoje. Përveç këtyre, ajo ka edhe një banesë prej 92 metrash katrorë në një shtëpi në rrugën Dolgarukovskaya në Moskë. Në një kohë, Marko Millosheviq ishte bashkëpronar i Polar d.o.o. Nga viti 2015 deri në fund të vitit 2019, ai kishte 50 për qind të aksioneve në atë kompani, e cila shiste lëngje, ujë mineral dhe pije të tjera, shkruan gazeta serbe Blic.
Partneri afarist i Millosheviqit është Igor Tarasenko, i cili fiton para nga prokurimet publike përmes kompanisë tjetër të tij. Kompania e tij “Trade Motors d.o.o” ofron shërbime për mirëmbajtjen automjeteve për kompanitë në rrethin e qytetit Odintsovo. Të ardhurat e këtij biznesi janë tashmë më solide – më shumë se gjysmë miliardë rubla në vit (më shumë se katër milionë euro).
IKJA E SHPEJT NGA SERBIA
Gjatë viteve të nëntëdhjeta të zeza, dihet se djali i Sllobës sillej në mënyrë arrogante dhe bënte biznese të dyshimta, thënë së paku, “Djali i babit” i privilegjuar bënte çfarë i tekej në Serbi dhe në RF të Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ndërsa babai i tij ishte president i Serbisë dhe RFJ-së. Marko e braktisi vendin vetëm pak orë pasi babai i tij Sllobodan Milosheviq u rrëzua nga pushteti më 5 tetor 2000.
Ai u gjykua në mungesë në Pozharevc, sipas padisë së tre anëtarëve të lëvizjes “Rezistenca ndaj rrahjes”. Për shkak të parashkrimit të çështjes, ai u lirua nga të gjitha akuzat dhe ato nuk ishin aspak të lehta.
Derisa populli konsideronte se fëmijëve të Sllobodan Millosheviqit dhe Mirjana Markoviqit u lejohej gjithçka, si për shkak të prindërve të tyre të fuqishëm, ashtu edhe për shkak të ndikimit dhe parave të tyre, ish-presidenti i Jugosllavisë e justifikoi pasurinë e djalit të tij me deklaratën tashmë të famshme se Marko ishte “punëtor i zellshëm” dhe se ai “ka mbajtur gajbe”. Përveç faktit që dihet se ai posedonte diskotekat “Madonna” dhe “Bambilend” në Pozharevc dhe një zinxhir parfumerish në Serbi, i riu Millosheviq njihej si një person shumë i dhunshëm dhe gjithashtu ekzistonte dyshimi se ai bënte kontrabandë me cigare me grupe kriminale, transmeton Paparaci.
Emri i Marko Millosheviqit ka dalë në operacionin policor “Rrjeti”, i zhvilluar kundër grupeve të organizuara të kontrabandistëve të cigareve. Sipas të dhënave të policisë, ai jo vetëm ka marrë një përqindje nga grupet e tjera të kontrabandistëve të cigareve, por ka bërë kontrabandë edhe vetë, por me mbështetjen e të gjithë aparatit shtetëror. Të ardhurat të cilat i ka realizuar me krim vlerësohen në disa qindra milionë marka gjermane. Në bazë të këtyre të dhënave, Marko Millosheviqi ka blerë cigare legalisht në Bullgari dhe më pas ato janë transportuar me anije në portin e Burgasit dhe më pas në Sofje. Në pikën kufitare në Serbi, cigaret janë “shndërruar” në mobile të cilat gjoja janë eksportuar në Hungari.
RUSIA SI SHPETIM NGA BURGU
I riu Millosheviq u nis për në Rusi më 6 tetor 2000, vetëm pak orë pasi babai i tij u rrëzua nga pushteti. Mirjana Markoviq e ndoqi atë në shkurt të vitit 2003, pikërisht para vrasjes së kryeministrit Zoran Gjinxhiq. Për jetën e tij pas arratisjes nga Serbia dihet shumë pak. Në fakt personazhi i tij pothuajse nuk u shfaq në media pas vdekjes së Sllobodan Millosheviqit, pra që nga mosha 32-vjeçare.
Sipas informacioneve të mediave, në fund të vitit 2007, Markos dhe nënës së tij iu dha azil politik në Rusi dhe ata gjetën strehim në Moskë. Besohet se këtë e kanë bërë si masë paraprake, sepse kanë qenë të vetëdijshëm se në Serbi Marko do të përballet me akuza të rënda në lidhje me kontrabandën e cigareve, por edhe se ata mund të lidhen me krime shumë më të rënda, konkretisht vrasjet politike për të cilat përmendet Mirjana Markoviq si urdhërdhënëse. Ndërsa Marko përmendet se është pjesë e mafies ruse./Paparaci