Fabrika e NewCo Ferronikelit e cila operon me dy linja të prodhimit, dy furra elektrike dhe dy furra rrotulluese të martën ka ndërpre krejt prodhimin, e nga kjo rrezikohet që mbi një mijë punëtorë të kësaj fabrike të mbesin pa punë.
Tashmë punëtorët që tre ditë po enden më duar në xhepa nëpër fabrikë. Një pjesë e tyre është angazhuar vetëm në disa punë të pastrimit, pasi furra elektrike 2 është ndalur tërësisht. Menaxhmenti u ka thënë punëtorëve ta ndalin furrën, pasi sipas tyre, do të shkojë në remont (renovim) vjetor. Por, siç ka mësuar Periskopi, dyshimet janë se nuk bëhet fjalë për remont, por deri të ndalja e prodhimit ka ardhur pasi energjia elektrike është shumë e lartë në treg dhe faturat kanë shkuar më lartë se sa ka qenë prodhimi.
“Furra elektrike 1 ka shkuar në remont vjetorë nga fillimi i korrikut dhe pritet të hyjë në punë pas dy muajve. Ka qenë e planifikuar se furra 2 të ndalet pasi të kthehet 1-shi. Por këta e kanë ndalë tash, duke thënë se duhet të shkojë në remonte. Por, prodhimi është ndalur ngase siç kemi mësuar fatura e rrymës ka ardhur më e madhe se sa ka qenë kapaciteti prodhues i metalit gjatë muajit qershor. Tash, po pastrojmë nga pak edhe po sillemi poshtë e lartë. Të hënën kanë thënë se do të na japin një përgjigje definitive”, ka bërë të ditur për Periskopin një burim brenda fabrikës.
Nga ana tjetër, dihet se rryma e prodhuar nga Korporata Energjetike në Kosovë -KEK i shitet vetëm KEDS, sipas kontratave të tyre vjetore që i kanë dhe një sasi e vogël eksportohet jashtë Kosovës, që njihet si tepricë energjetike (kryesisht gjatë orëve të natës), të cilat duhet të realizohen sipas kontratave tregtare.