Punën që e bën sot, e nisi në vitin 2006. Berat Halili shërben si zyrtar për arkiv në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal tash e 16 vjet.
Pavarësisht përvojës dhe ngritjes akademike, Berati as edhe njëherë nuk pati rritje page e as ngritje në pozitë.
Herën e fundit kur e pati këtë mundësi, ministria e anuloi konkursin.
Në një intervistë për KIKS Kosova, ai tha se në vitin 2020 aplikoi në konkursin e brendshëm të kësaj ministrie për zyrtar për koordinim të politikave të jashtme, por ky konkurs u anulua pa asnjë arsyetim.
Për pozitën e njëjtë, Berati aplikoi edhe në vitin 2021, kësaj radhe ai nuk u pranua me një arsyetim që e çuditi.
Refuzimi për herë të dytë u bë sebep që Berati të kuptonte se pozita e tij nuk është klasifikuar si shërbyes civil, por si staf mbështetës, ani pse në të gjitha dokumentet e punës ai figuron që është zyrtar për arkiv 4, pozitë e cila figuron në katalogun e shërbyesve civilë.
Kjo padrejtësi, ai pretendon se iu bë gjatë vitit 2015, kur u përjashtua nga katalogu i shërbyesve civilë, ani pse kryente punët e arkivistit, duke ia hequr kështu statusin e shërbyesit civil, që e kishte që nga emërimi i tij.
Halili thotë se kjo padrejtësi i është bërë nga Zyra e Personelit me qëllim të hakmarrjes.