Dikur ishte njeri i fortë në Ministrinë e Tregtisë. Por, Burim Rreci, i cili punoi për shumë vjet në institucionet e Kosovës, nuk punon më në Qeveri.
Ai që nga muaji shkurt është prapa grilave në Mal të Zi, pasi u zu me 48 kilogramë drogë. E duket se aty, ai do të rrijë edhe për një kohë.
Atij i ishin gjetur rreth 48 kilogramë mariuanë në veturën me të cilën ishte duke udhëtuar.
Dënimi i tij vjen afro pesë muaj pas arrestimit në pikën kufitare Debeli Brijeg, nga Policia e Malit të Zi.
Burim Rreci ishte pjesë e partisë Nisma Socialdemokratike.
Përgjatë periudhës së fundit, ai ka pasur disa “hyrje-dalje” në pozitën e Sekretarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Fillimisht u emërua në pozitën respektive në fillim të muajit shkurt 2018, kur Qeveria drejtohej nga Ramush Haradinaj.
Ky emërim ishte kundërshtuar nga disa organizata të shoqërisë civile, por edhe nga Ambasada Britanike, pasi i njëjti nuk i kishte plotësuar kushtet për këtë pozitë.
Rreci ishte sulmuar fizikisht në zyrën e tij nga Arian Krasniqi, djali i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.
Për arrestimin e tij pati raportuar edhe portali malazez, Vijesti.me, që kishte dhënë detaje rreth ngjarjes gjegjëse.
Burim Rreci ishte rikthyer në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë më 2020-ën, me anë të një vendimi që mban nënshkrimin e Avdullah Hotit, atëbotë kryeministër i vendit.