Të moshuarit e Skenderajt me shumë halle, pak para, e plot entuziazëm për shah e ping pong

Një bufe e mirërregulluar në Qendrën e Kulturës në Skënderaj, është hapësira që i mbledh në baza të përditshme dhjetëra pensionistë drenicas. Me muhabete të gjata, që shpesh përcillen me ankesa të panumërta e lojëra të ndryshme, pensionistët kalojnë ditët e pleqërisë.

Ftytyrat e tyre ishin te drejtuara nga  tabela e shahut mbi tavolinat e tyre.

I vetmi jopensionist aty ishte kamarieri i bufesë .

“Fitorja është shumë më e bukur kur fiton me zor”, janë fjalët e para të 71-vjeçarit.

Pensionistët në Skënderaj janë të lumtur që komuna i ka mundësuar kalimin në objektet e Shtëpisë së Kulturës në këtë qytet.

“Tash kena dalë në këtë objekt të qendrës së kulturës dhe e kemi shumë më mirë. thotë Mecinaj.

“Në mblidhemi për çdo ditë këtu, me pi çaj, me pi kafe, më lujtë gurë, shah e domino”, tregon kryetari i kësaj shoqate.

“Mblidhemi kur t’kemi kohë, e kohë kemi boll”, reagon me shaka sekretari i shoqatës, Latif Miftari, duke nënkuptuar se ardhja e tij në bufe është e përditshme.

“Shkojmë nganjëherë në ekskursione, në Elbasan, n’Vlorë, kemi qenë në Velipojë së fundmi e qashtu organizohemi”, më thotë Miftari, nga tavolina tjetër.

“Financiohemi me pensione tona, nuk janë të mjaftueshme, por nuk po ankohemi. Po ia dalim diqysh, këtu pensionistët kanë krejt ndonjë familjar jashtë shteti që i ndihmon. Unë kam pasë qef me u dalë në ndihmë këtyre, që na me pasë mënyra se si me kalu kohën e mos me u mërzitë”, thotë Mecinaj, i cili ka gjashtë vite që ka dalë në pension.