Pas gati 2 vjetësh si i arrestuar nga Gjykata Speciale, ish-presidentit Hashim Thaçi i erdhën për vizitë prindërit e tij të shtyrë në moshë. Takimi i Haxhi e Hyrë Thaçi me të birin zgjati disa orë, vizitë e cila përfundoi brenda një dite. Por, ata do të kishin dashur që të rrinin më gjatë, një qëndrim që iu pamundësua për shkak të vizës.
Pavarësisht se Gjykata Speciale ua kishte dhënë lejen për një vizitë tri-ditore në Qendrën e Paraburgimit, prindërit e Thaçit e kishin të pamundur ta realizonin atë. Kjo pasi viza që e kishin marrë në Ambasadën e Zvicrës iu ishte lëshuar vetëm për tri ditë.
Gazeta Nacionale ka mësuar nga burime të afërta me familjen Thaçi se plani kishte qenë që prindërit e Thaçit të takoheshin për tri ditë radhazi me të birin e tyre. Për këtë, lejen ua kishte dhënë edhe Gjykata Speciale. Mirëpo, problemi doli te pajisja me vizë.
Nacionale ka mësuar se prindërit e Thaçit ditën e parë të vizitës në Qendrën e Paraburgimit e kanë pasur në ditën e premte. Si rezultat ata është dashur të udhëtojnë drejt Hagës, të enjten në mbrëmje. Për pasojë, prindërit e ish-presidentit të Kosovës e kanë pasur të pamundur që të qëndrojnë më gjatë në Hagë, shkaku i vizës.
“Prindërit e Thaçit e kanë pasur lejen për vizitë në Gjykatën Speciale për tri ditë. Megjithatë, qëndrimi i tyre në Qendrën e Paraburgimit ka qenë diku 7 orë. Ata kanë shkuar një natë përpara në Hagë. Pra të enjten në mbrëmje, në mënyrë që të premten të shkojnë në Qendrën e Paraburgimit. Në këtë formë, dy ditë qëndrim vetëm kanë kaluar. E kanë pasur të pamundur me shfrytëzu lejen tri-ditore nga Gjykata Speciale,” ka thënë për Nacionalen një burim i afërt me zhvillimet.
Nacionale ka mësuar se familjarët e personave që po akuzohen nga Gjykata Speciale, vizat për udhëtim drejt Hagës, shumica prej tyre i kanë marrë në Ambasadën e Zvicrës. Njëjtë ishte rasti edhe me Haxhi e Hyrë Thaçin. Për pasojë, atyre vizat iu lëshuan për vetëm tri ditë, duke ua pamundësuar qëndrimin më të gjatë në Hagë.
Se viza iu është dhënë vetëm për tri ditë prindërve të Thaçit, e ka konfirmuar edhe ish-këshilltari Ismajl Syla. Madje, ky i fundit e ka quajtuar poshtërsi faktin që qytetarëve të Kosovës, u dalin këso problem.
“Ia kanë jep vizën veç për tri ditë, edhe kjo është një padrejtësi që iu bëhet qytetarëve të Kosovës me procedura burokratike, si në rastin e prindërve të Thaçit ku viza atyre iu dha vetëm për tri ditë. Këtu ndikon edhe mos-liberalizimi i vizave”, ka thënë Syla për gazetën Nacionale.