Numër i lartë i infektimeve me COVID-19 ka përfshirë vendin tonë gjatë ditëve të fundit.
Kjo situatë ka ngjallur frikë për shpërthimin e një vale të re të coronavirusit, shkruan Telegrafi.
Vetëm gjatë javës së kaluar në vendin tonë janë konfirmuar 2 mijë e 7 raste të reja, kurse tre qytetarë kanë humbur jetën.
Numri më i lartë i infektimeve në javën që lam pas ishte ditën e premte ku u konfirmuan 407 raste. Numri i rasteve aktive ka arritur në 2 mijë e 169.
Tani për tani, ende nuk ka ndonjë paralajmërim nga institucionet shëndetësore në Kosovë për ndryshim të masave anti-Covid, përveç thirrjeve për vaksinim.
Ministria e Shëndetësisë në një njoftim ditë më parë bëri të ditur se ka aprovuar marrjen e dozës së katërt të vaksinës kundër COVID-19 për personat e moshës mbi 60 vjeç, të cilët e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më parë.
MSh gjithashtu njoftoi se si pasojë e rritjes së rasteve ka filluar të rritet edhe ngarkesa spitalore.
“Ministria e Shëndetësisë, sipas masave në fuqi, u rekomandon qytetarëve bartjen e maskave mbrojtëse në hapësira të brendshme si dhe vaksinimin me dozat e vaksinës sipas grup-moshave të lejuara për vaksinim. Ndryshimi eventual i masave në fuqi, do të mund të bëhet sipas rekomandimeve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, në varësi të situatës epidemiologjike dhe projeksioneve rreth zhvillimit të saj”, thuhej në njoftimin e MSh-së.