Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka pritur në takim kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.
KQZ njofton se temë e këtij takimi ishte përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen 14 shkurt 2021.
“Daka vlerësoi bashkëpunimin në proceset e kaluara me Prokurorinë e Shtetit me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të votës dhe theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se Kryeprokurori i Shtetit, Lumezi njoftoi kryetaren e KQZ-së se Prokuroria e Shtetit do të angazhohet në këto zgjedhje, ashtu si në të kaluarën, për mbrojtjen e votës.
“Ai bëri të ditur se Prokuroria e Shtetit do të angazhojë një numër të caktuar prokurorësh të cilët do të monitorojnë të gjithë procesin zgjedhor dhe do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore në bazë të kompetencave dhe Ligjit”, vijon njoftimi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. /RTV-OKARINA