Që dy vite jo-aktiv: Veseli sërish në top 3’shen e politikanëve të preferuar në Kosovë

Po bëhen gati 2 vjet prej që ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli nuk është më aktiv në politikë.

Kjo për shkakun se ai gjendet në paraburgim në Hagë, si i akuzuar nga Prokuroria e Specializuar.

Sidoqoftë, kredibiliteti dhe besueshmëria e Veselit tek qytetarët duket se nuk ka pësuar ndryshim.

Sipas rezultateve të publikuara nga sondazhi për Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 në kuadër të projektit të institutit amerikan “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI), Veseli është lideri i tretë politik, të cilit qytetarët i besojnë më së shumti, pas Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit.

Veseli ka marrë 9% të votave në pyetjen “Cilit politikan, apo personi publik i besoni më së shumti?”.

Ndonëse që dy vite Veseli nuk ka ushtruar asnjë funksion publik apo politik, ai ka lënë prapa politikanë që tanimë janë aktiv në Kosovë, duke përfshirë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe kreun e Nismës, Fatmir Limaj.

Veseli ka lënë prapa edhe ish-presidentin Hashim Thaçi.

27 përqind e qytetarëve janë përgjigjur me “asnjë” teksa 16 për qind e qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen.