Raporti i UNDP-së: Bie niveli i kënaqshmërisë për punën e kryeministrit, e rritet për presidenten

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar sot edicionin e 22-të të përmbledhjes Pulsi Publik, ndërsa bëhet e ditur se ka rënë niveli i kënaqshmërisë për punën e kryeministrit, ndërsa është rritur për presidenten.

Sipas një njoftimi për media, nga gjetjet e anketës së opinionit të Pulsit Publik në muajin prill tregojnë ndryshime të lehta në kënaqësinë e njerëzve me performancën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë në krahasim me sondazhin e mëparshëm të kryer në tetor-nëntor 2021.

Siç bëhet e ditur në njoftim, niveli i kënaqshmërisë me performancën e ekzekutivit kapi vlerën 47.6%, çka përbën një ulje prej 0.4 pikë përqindjeje nga anketa e tetor-nëntorit (vjeshtë) 2021 kur kjo vlerë ishte 47.6%.

Ndërsa, niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit është 52.6% (53.2% në vjeshtën 2021), e me punën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është 54.4% (55.4% në vjeshtën 2021).

Tutje thuhet se niveli i kënaqshmërisë me presidenten kapi vlerën prej 58.4%, krahasuar me shkallën e kënaqshmërisë prej 55.2% të regjistruar në vjeshtën 2021.

Më poshtë janë disa nga gjetjet kryesore të UNDP-së:

Rritje pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në nivelin prej 39.1% dhe 37.1% përkatësisht, krahasuar me 33.9% dhe 34% përkatësisht në vjeshtën e vitit 2021.

Indeksi i Demokratizimit (ID) qëndron në 1.66 pikë që është rritje prej 0.07 nga vjeshta 2021.

Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike (IBE) qëndron në 0.98 pikë që është ulje prej 0.54 pikë nga vjeshta 2021.

Një numër pak më i lartë i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në prill 2022 (37.6%) sesa në vjeshtën 2021 (35.6%).

Gjetjet nga anketa e opinionit tregojnë rritje të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 80.4% që ndihen të sigurt kur janë jashtë, krahasuar me 73.6% në vjeshtën 2021.

Tri problemet madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (36.4%), varfëria (21.1%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (7.7%). Mjedisi, që ishte një nga tri problemet kryesore në vjeshtë 2021, ka rënë në vendin e tetë. Kujdesi shëndetësor (5.7%) dhe korrupsioni (5%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara nga të anketuarit.

22.2% e anketuarve pohojnë se perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë. Kjo vlerë paraqet rënie prej 1.2 pikë përqindje nga vjeshta 2021- (23.4%).

15.3% të respondentëve (7.9% në vjeshtën 2021 dhe 16.1% në maj 2021) thanë se dinë shumë për të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër, 25.5% (24.9% në vjeshtën 2021) pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 40.7% e të anketuarve (39.7% në vjeshtën 2021) thanë se dinë pak për këtë temë.

7.8% (12.3% në vjeshtën 2021) besojnë se Kosova është e ndikuar nga ndryshimet klimatike dhe 63.4% (49.7% në vjeshtën 2021) besojnë se është e ndikuar deri diku nga ndryshimet klimatike.

62.5% e të anketuarve deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, 48.1% deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe 52.6% treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.