Aktakuzë kundër dy policëve që dyshohet se keqtrajtuan një person në stacion policor

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve policorë V.M. dhe A.A. për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas aktakuzës, më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në stacionin policor të Fushë Kosovës, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë, në bashkëkryerje e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin L.H..

Përderisa të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik të njëjtit i kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të paraqitej në stacionin policor.

L.H. pasi kishte arritur në stacion e kishin vendosur në një zyre dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer dhe cenuar dinjitetin e pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht duke e goditur me grushte në fytyrë e më pas me shkelma e grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë.