Dramë në Botëror, notuesja humb ndjenjat në pishinë, trajnerja e shpëton në mënyrë heroike

Në Kampionatin Botëror të Notit që po mbahet në Budapest, ka ndodhur një situatë dramatike ku notares amerikane Anita Alvarez i ra të fikët gjatë kryerjes së ushtrimeve, pas së cilës trajnerja u hodh në pishinë, e tërhoqi dhe i shpëtoi jetën.

Andrea Fuentes u hodh për të shpëtuar Alvarez të ekipit të SHBA-së, e cila ishte zhytur në fund të pishinës dhe nuk po merrte frymë, pasi përfundoi rutinën e saj gjatë të mërkurës mbrëma.

Fuentes, e veshur me pantallona të shkurtra dhe një bluzë, u zhyt në fund të pishinës dhe e tërhoqi zvarrë Alvarez në sipërfaqe.

“Ishte një frikë e madhe. Më duhej të hidhesha sepse rojet e plazhit nuk po e bënin atë,” u raportua të ketë thënë Fuentes nga gazeta spanjolle Marca.

“Isha e frikësuar sepse pashë që ajo nuk merrte frymë, por tani ajo po shkon shumë mirë”, tha Fuentes.

Skuadra amerikane më vonë tha se kjo nuk është hera e parë që i ndodh Anitës, pasi diçka e ngjashme i ndodhi asaj vitin e kaluar gjatë stërvitjes kualifikuese në një nga garat.