Presidentja Osmani: Liberalizimi i vizave ndodh në qershor

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, deklaroi se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave.

E pyetur rreth deklaratës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se liberalizimi i vizave për kosovarët do të ndodh më 23 qershor, Osmani theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret tash e disa vjet dhe se nuk ka asnjë arsye që ky proces të bllokohet.

“Jemi në kontakt me vendet anëtare të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret tash e disa vite. Nuk ka asnjë arsye që ky proces të bllokohet. Do të vazhdojmë të punojmë me vendet anëtare derisa të merret një vendim që i jep fund kësaj padrejtësie të madhe ndaj popullit të Kosovës, Nëse kjo do të ndodh me 23 qershor apo një datë tjetër, është vullnet i vendeve anëtare të BE-së”, deklaroi Osmani në konferencë për media.

E pyetur nëse do të ishte e gatshme që të ulej përball presidentit Vuçiq për të dialoguar, ajo tha se “Kosova vazhdimisht është ulur përball Serbisë për të gjetur një zgjidhje e cila vulos paqen afatgjatë”.

“Pavarësisht kush është caktuar si përfaqësues, Kosova ka marrë pjesë në të gjitha takimet me Serbinë, duke dëshmuar se synojmë raporte të mira fqinjësore bazuar në parimet e BE-së. Siç e dini kanë ndodhur disa takime në Bruksel, ku Kosova jo vetëm që ka marrë pjesë por edhe ka dhënë propozime konkrete se si të gjendet një zgjidhje që e vulos paqen afatgjatë e ajo është njohja reciproke. Kosova asnjëherë s’ka qenë bllokuese e dialogut, por gjithnjë palë konstruktive dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”.