Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka paralajmëruar për të enjten, 16 qershor 2022) protestë gjithëpopullore në shenjë kundërshtimi për miratimin e Ligjit për pagën minimale.
E pas paralajmërimit për këtë protestë, Lëvizja për Bashkim sikurse herën e kaluar ka thënë se do ta mbështesë.
“Të enjten, më 16 qershor 2022, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prej orës 9:30, para Qeverisë dhe para Kuvendit të Kosovës, do të organizojnë protestë kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve.
LB, e bindur në drejtësinë e kësaj çështjeje, të ngritur nga OVL e UÇK-së, ka vendosur që ta mbështesë protestën dhe do të marrë pjesë aktive në të. LB është e bindur se këndvështrimi i mbrapshtë që kinse kategoritë e dala nga lufta qenkan barrë për shoqërinë, është antinjerëzor dhe antikombëtar”, thuhet në njoftimin e tyre.
Lëvizja për Bashkim ka ftuar që jo vetëm veteranët, por të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës dhe të mos lejojnë që kategoritë më meritore për lirinë që po e gëzojmë, të shndërrohen në kategori sociale!
“JO diskriminimit të mëtutjeshëm të luftëtarëve të lirisë! TË GJITHË në protestë në mbrojtje të njerëzve më meritorë për lirinë që po e gëzojmë”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, KMDLNJ u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës, që ajo të jetë e qetë.
“KMDLNj konsideron se protesta e paralajmëruar e veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është plotësisht e drejtë dhe paraqet përpjekje për mbrojtje të drejtave të njeriut të kësaj kategorie që kohëve të fundit përveç shpërfilljes institucionale, nga përfaqësuesit e institucioneve që duhet t’i mbrojnë, në mënyrën më brutale dhe më të panjerëzishme po fyhen, po stigmatizohen duke anashkaluar dhe mohuar kontributin e tyre të pamohueshëm për liri dhe çlirim të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.
KMDLNJ ka theksuar se do të monitorojë nesër protestën e paralajmëruar të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpreson se kjo protestë krejtësisht e drejtë dhe e arsyeshme do të jetë paqësore duke përjashtuar çdo lloj dhune nga cilado palë dhe, në të njëjtën kohë thërret palët që t’i përmbahen rregullave të një proteste paqësore e që është rregulluar me ligjet në fuqi në Kosovë.
“Çdo përdorim i dhunës nga cilado palë për KMDLNj –në do të jetë e papranueshme dhe, si e tillë nuk do të përkrahet”, thuhet në njoftim.