Janë më shumë se 600 punëtorë. E gjithë hierarkia e klasës punëtore në ndërmarrjen publike Trepça, tash e tri vjet ka punuar pa kursime pensionale. Kjo pasi ndërmarrja, nuk ua ka paguar Trustin punëtorëve. Gazeta Nacionale ka mësuar se borxhi total që ka kjo ndërmarrje ndaj punëtorëve për pagesat e Trustit, kap vlerën e 8 milionë eurove.
Heqja e autonomisë për Kosovën në vitin 1989, ishte kundërshtuar ashpër. Ata që këtë kundërshtim e fuqizuan edhe më tepër ishin minatorët e Trepçës. Duke u ngujuar në horizontet e minierës, më shumë se 1 mijë e 300 vetë, kishin arritur të shënonin një nga rezistencat më të mëdha popullore, demokratike e paqësore, ndaj regjimit të Millosheviqit dhe tendencave për ta pushtuar Kosovën.
33 vjet më pas, minatorët e Trepçës kanë një tjetër betejë. Jo atë të lirisë e pavarësisë, por diçka që u takon me ligj të republikës. Pagesën e kursimeve pensionale në Trust.Gazeta Nacionale ka mësuar se që nga shtatori i vitit 2019, punëtorëve që hyjnë në kuadër të ndërmarrjes Trepça, nuk u është paguar Trusti. Pra, janë më shumë se 30 muaj që punëtorëve të Trepçës, nuk iu kryhen pagesat në Fondin për Kursime Pensionale.
Në disa të dhëna elektronike që gazetës ia kanë përcjellë punëtorët, shihet qartë që në gjithë vitin 2021 atyre nuk u është paguar asnjë cent në Trust. Një gjë të tillë, e kanë konfirmuar zyrtarisht për gazetën Nacionale nga Sindikata e Punëtorëve të Trepçës.
Gani Osmani që është kryetar i Sindikatës ka treguar për Nacionalen detaje rreth këtij skandali. “Krejt punëtorëve të minierës Trepça, dikund rreth 630-640 punëtorë, nuk po e di numrin e saktë, pasi disa dalin në pension, nuk është duke iu paguar Trusti. Kam shku dhe kam këqyrë vetë. Prej vitit 2019, tre muajt e fundit të vitit 2019, është viti 2020 komplet, viti 2021 gjithashtu komplet. Plus këta katër muaj këtë vit, 31 muaj deri më tash që nuk u paguhet Trusti punëtorëve”, tregon për gazetën Nacionale kryesindikalisti Gani Osmani.
Sipas Osmanit, arsyetimi i udhëheqësve të ndërmarrjes është mungesa e fondeve. Për pasojë, ai tregon shqetësimet e punëtorëve se në kohën kur ishte lejuar tërheqja e mjeteve nga Trusti në kohën e pandemisë, ata kishin qenë të dëmtuar. Ngjashëm, siç kanë drojë se njëjtë mund të ndodhë nëse një tërheqje tjetër lejohet tash.
“I kemi bo pyetje menaxherëve se janë ndërru prej atëhershit disa udhëheqës, kanë thanë që nuk kem mjete, këndej-andej. Nuk ka mjete po thonë. Mirëpo kjo nuk është as arsyetim, sepse Trusti duhet me u pagu gjithqysh. Që na e lëshuan atëherë Trustin, jemi kanë të dëmtuar. Kesh qitash, dikund 3 mijë e 300 euro i kisha borxhe të papaguara. Me i marrë veç 10% qitash të trustit, 330 euro më pak i marrim nëse aprovohet kjo në Kuvend. Edhe këta që po dalin në pension janë të dëmtuar, sepse 30% të parave munden me i marrë menjëherë, dhe po dëmtohen”, ka treguar Osmani.
Ai këto shqetësime do t’i paraqesë gjatë këtij muaji në një takim që ka me kryeministrin Kurti dhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Atyre, sigurisht Osmani do t’u tregojë se borxhet që i ka Trepça në total ndaj punëtorëve për Trustin, kapin vlerën e 8 milionë eurove.
“Është shkelje, duhet me u pagu këto. Jo i paguajmë masanej na kanë thanë, këndej-andej. Qsh i kam këqyr, dikund përmbi 8 milionë janë borxhe të Trustit. Kjo nuk di ku ndodh kështu”, ka treguar Gani Osmani për gazetën Nacionale.
HESHTJE TOTALE
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje saktësisht një javë më parë në adresë të Ministrisë së Ekonomisë. Përgjigje nuk pati. Në interesimin e Nacionales, nuk u përgjigjën zyra për media as në numrat e telefonit që i kanë publikë në faqen zyrtare të internetit.
Megjithatë, ministria nuk është e vetmja që ka zgjedhur heshtjen përballë këtij skandali. Enis Abdurrahmani, kryeshef i ndërmarrjes Trepça, nuk e ka hapur telefonin për tri ditë me radhë për të komentuar për këtë çështje. Ai nuk është përgjigjur as në pyetjet e shkruara që Nacionalja ia ka përcjellë.
ÇFARË THOTË LIGJI?
Mospagesa e Trustit për mbi 600 punëtorë të Trepçës, është shkelje flagrante e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës. Me këtë ligj, parashihet se secili punëdhënës është i obliguar t’ua paguajë kursimet pensionale punëtorëve.
“Çdo punëdhënës është i obliguar që të kontribuojë në emër të punonjësve të vet në Fondin e kursimeve pensionale. Punonjësit obligohen që të kontribuojnë në emër të vet në kursimet pensionale. Obligimet e punëdhënësit dhe të punonjësit fillojnë në ditën e parë të punësimit të punëdhënësit për punonjësit që kanë krijuar marrëdhënie pune dhe përfundojnë kur punonjësi arrin moshën e pensionit”, thuhet në ligj.
Për monitorimin e zbatimit të pagesës së Trustit është e obliguar Administrata Tatimore e Kosovës. Në një përgjigje për gazetën ATK-ja ka dhënë një sqarim: “Në fakt mospagesa e trustit për punëtoret e Trepçës është borxh të cilin ndërmarrja në fjalë çdo muaj e deklaron, mirëpo në mungesë të mjeteve financiare (vështirësive që kanë me financa) nuk janë duke arritur me i pagu. Kjo nuk është shmangie tatimore, sepse është borxh që vet tatimpaguesi e deklaron”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
6.2. Për financimin e kursimeve pensionale:
(a). çdo punëdhënës paguan një shumë që është baras me pesë për qind (5%) të rrogave të pëgjithshme të të gjithë punonjësve (siç është përcaktuar me këtë ligj); dhe (b). çdo punonjës paguan një shumë që është baras me pesë për qind (5%) të rrogës së tërësishme të tij.
6.13. Pagesa e kontributeve është e detyrueshme për të gjithë banorët e punësuar të Kosovës deri në moshën e pensionimit.
VV-JA KRENOHET!
Një ditë më parë, zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin shpërndarë një grafikon, i cili tregonte rritjen e të hyrave në ndërmarrjen Trepça. Për këtë, kishin shkruar deputetë e ministra.
“RIKTHIMI I TREPÇËS
Për një vit, 2020-2021, të hyrat në ndërrmarrjen Trepça janë ngritur pothuajse deri në dyfishim, nga 8 milionë, në afro 14 milionë. Këto shifra e indikacione nuk janë të rastësishme, por vijnë direkt si rezultat i ndërrimit të qeverisë dhe ndërrimit të qasjes sa i përket ndërmarrjeve e aseteve publike”, thuhej në postimet e tyre.
Megjithatë, me rritje të të hyrave ose jo, me krenarinë e partisë në pushtet apo jo, punëtorëve të Trepçës vazhdon të mos u paguhet Trusti!