Kosova gati për të shënuar histori, RTV Okarina raporton nga Volosi i Greqisë

Kosova e kërkon fitoren e parë ndaj Greqisë sonte në ndeshjen “finale” të grupit Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte ndeshjen më të rëndësishme të edicionit të ri në Ligën e Kombeve.

 

Vedat Muriqi me shokë e kanë të domosdoshme fitoren në udhëtim sonte, nëse duan ta synojnë ende vendin e parë.

Në të kundërtën, çdo rezultat tjetër do t’ua zbehte atyre gjasat për lidership.

Siç dihet, Kombëtarja që përfundon si lidere në fund, do t’i afrohet edhe më shumë kualifikimit në Euro 2024.

Kosova edhe në këtë duel do të përballet me mungesa të shumta.

E optimizmin për fitore e kanë shprehur në konferencë për media edhe Alain Giresse dhe Milot Rashica.

“Na pret një ndeshje e vështirë pasi Greqia është një kundërshtar i fortë. Nuk mund të them se kjo ndeshje është një finale, por patjetër që është një ndeshje tepër e rëndësishme. Fitorja eventuale në këtë takim sigurisht që do t’i rriste ambiciet tona për ta fituar grupin. Pas fitores kundër Irlandës së Veriut e kemi motivin e duhur por të shohim çfarë do të sjellë ndeshja”, ka thënë Giresse.

Ndërkaq, Milot Rashica u shpreh se ka ardhur koha që Kosova ta mposhtë Greqinë, pasi në pesë përballjet ai me shokë i kanë regjistruar tri barazime e dy humbje.

“Duke e parë rëndësinë e ndeshjes, shpresoj që kontributi im të ndikoj te golat. Besoj se ndeshja ime ndaj Irlandës së Veriut ishte më e mira në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Kemi shumë mungesa, por të gjithë lojtarët janë gati dhe do të japim maksimumin. Besoj që ka ardhur koha ta bëjmë fitoren e parë ndaj Greqisë. Nëse dëshirojmë ta fitojmë ndeshjen, atëherë duhet të shënojmë gola. Kjo ndeshje mund të përcaktojë gjithçka. Jemi të përgatitur për ta dhënë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Presim të jetë ndeshje shumë e vështirë, por besoj që me motivimin dhe gjërat e mira që kemi bërë në ndeshjen e kaluar t’i shfrytëzojmë. Kemi luajtur ndaj Greqisë dhe e dimë se si luajnë dhe shpresoj që të dielën të bëjmë paraqitje shumë më të mirë se në ndeshjen e fundit kundër tyre”, ka theksuar Rashica.

Ndeshja Greqi – Kosovë, zhvillohet sonte nga ora 20:45