‘Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së janë të shqetësuar tej mase’

‘Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së janë të shqetësuar tej mase’

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, tha se nuk beson në drejtësi në Gjykatën e Speciale pas bisedës që ka pasur me avokatët e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë për të cilët thotë se janë shumë të shqetësuar.


Buja sonte në emisionin “ResPublika” në Tëvë1 theksoi se Gjykata e Hagës ka marrë mbi 300 dëshmitarë e që shumicës prej tyre, avokatët nuk ua dinë as emrat.

“Me këtë procedurë që është duke shkuar absolutisht asnjë element besimi në drejtësi nuk kam për faktin që unë kam pasur rastin që të bisedoj me avokatët e Rexhep Selimit, të Jakup Krasniqit dhe të Hashim Thaçit dhe ata janë të shqetësuar tej mase duke e thënë mes tjerash një gjë ngase nuk kanë asnjë fakt material për ta brumosur atë që ata donë ta bëjnë si aktakuzë për t’i dënuar. Ata kanë marrë mbi 320 dëshmitarë që mbi 100 prej tyre as nuk i njohin as nuk iu dinë emrat mbrojtësit, avokatët që kjo është diçka që bota nuk ka parë”, tha Buja.

Tutje Buja deklaron se i ka pyetur avokatët e Hagës nëse ata kanë parë një gjë të tillë në botë.

“Madje unë i kam pyetur këta tre avokatët e Hashim Thaçit nëse kanë parë ndonjëherë diçka të tillë në botë që i përngjan kësaj gjykate dhe ata më thanë jo dhe shpresojmë që as të mos shohin. Domethënë është tepër e rëndë, por ajo që është më e pakuptimtë është që tashmë u dëshmua botërisht që Dick Marty është përdorur si vegël tepër e keqe duke ju dërguar raportet me shkrim nga ambasadori i Serbisë në Zvicër mijëra faqe…. duke shtisur gjëra për shtëpinë e verdhë mirëpo ajo doli të jetë krejtësisht blof, e paqëndrueshme sepse është vërtetuar ajo gjë dhe tash këta burra po mbahen në Hagë. Ndërsa gjyqi është bërë në Parlamentin e Republikës së Kosovës për këtë shtëpi të verdhë se gjoja paska pasur transplantim organesh dhe paska pasur UÇK-ja mundësi atëherë t’i mendoj ato gjëra e lëre më t’i realizoj”, tha ai.

Buja tutje në Tëvë1 ka theksuar se “Këto kanë qenë gjëra të tmerrshme për të cilat bota u trondit u tmerrua dhe kjo gjë ishte për t’i dërguar njerëzit e lirisë, të pavarësisë dhe të paqes në Gjykatën e Hagës”.